Ibraimi: Nuk do e kem lehtë ndaj Shkëndijës, ku kalova 6 vite të arta

Besart Ibraimi të dielën për herë të parë do të luaj ndaj ish skuadrës së tij, Shkëndijës, me të cilën skuadër kishte arritur sukseset më të mëdha në karrierë. Ai me “kuqezinjtë” ishte shpallur 3 herë kampion i Maqedonisë, ndërsa la gjurmë me fanellën e kësaj skuadre, duke marrë epitetin e golashënuesit më të mirë, njofton “infOSport.mk”.

Ai me Shkëndijën numëron 147 gola, më shumë se çdo futbollistë tjetër, ndërsa gjithashtu i njëjti mban epitetin e golashënuesit më të mirë në historinë e futbollit vendor.

Ndërkohë punën e golit Ibraimi tashmë po e vazhdon me Struga Trim Lum, për të cilën skuadër në 3 xhirot e para ka realizuar 2 gola.

“E respektojmë Shkëndijën, të gjithë ne i dimë vlerat e kësaj skuadre. Për mua personalisht do të jetë një ndeshje shumë emocionale, pasi të kalosh 6 vitet më të mira të karrierës dhe tani ta kesh kundërshtarë, vërtetë nuk është e lehtë. Megjithatë futbolli sjell edhe këto gjëra, ndërsa neve jemi profesionistë dhe si i tillë tashmë do mundohem të jap më të mirën për klubin ku jam aktualisht, pra Struga Trim Lum” – është shprehur për faqen zyrtare të klubit strugan bomberi, Besart Ibraimi, i cili pavarësisht se me Strugën e tij renditen në pozitën e parë, ai rolin e favoritit ja lë ish skuadrës së tij, Shkëndijës.

“Aktualisht neve jemi në vend të parë, por megjithatë Shkëndija është favorite në këtë përballje, edhe pse premtojmë se si skuadër do të japim maksimumin që edhe nga kjo ndeshje të dalim të pamposhtur” – ka përfunduar Ibraimi, i cili pa dyshim se të dielën do të jetë rreziku më i madh për mbrojtjen e Shkëndijës, aty ku kërçovari do të takoj sërish ish shokët e tij të ngushtë, Bejtullain, Hasanin dhe Cuculin. (infOSport.mk)

Leave a Reply