KF Studeniçani e nis me këmbë ta mbarë, debuton me fitore në ligën komunale Kisella Vodë

25 shtatori i vitit 2022 do të mbahet mend gjatë kohë për KF Studeniçani, pasi kjo skuadër pas themelimit të saj në vitin 2020, vetëm dy vite më pas, përveç punës me grupmoshat e reja, arriti që të krijoj edhe boshtin e skuadrës së parë për të garuar në ligën e katërt, atë komunale të Kisella Vodës, njofton “infOSport.mk”.

Që kjo ditë të jetë edhe më madhështore për këtë skuadër, kontribuan vetë futbollistët që në fund gëzuan gjithë ato tifoz të tubuar në stadiumin “Hurdha” në Studeniçan duke mundur 4:1 skuadrën e Partizan.

Djelmoshat e trajnerit Bunjamin Asani shkëlqyen sot përballë kundërshtarëve të tyre, ndërsa përkrahja nga publiku bëri që të njëjtit të “fluturojnë” në terren.

Edhe pse kjo skuadër u krijua vetëm dy muaj më parë, trajneri Asani kishte bërë një punë të shkëlqyer, ndërsa një gjë e tillë mund të konstatohej nga aksionet dhe rastet e krijuara, por edhe golat e shënuar që mbajnë firmën e Xhezair Ramadanit, Omer Shabanit, Zejdi Shabanit dhe Nehat Eminit.

Ndeshjen e rradhës, atë të xhiros së dytë në kuadër të ligës komunale (Kisella Vodë), KF Studeniçani do ta zhvillojë sërish si vendas me datë 2 tetor kundër skuadrës së Vardar 75. (infOSport.mk)

Leave a Reply