Ish-ministri i jashtëm rumun: Ne nuk e njohim Kosovën si shtet, s’duhet të luajmë me ta edhe nëse humbasim në tavolinë

Përfaqësuesja e Kosovës ka hasur në problemet e para politike, pas shortit të hedhur për kualifikimet e Europianit të vitit 2024, që do të mbahet në Gjermani.

Rumania është një nga shtetet evropiane që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa kjo çështje është ngritur sërish në shtetin rumun nga politikani Teodor Melescanu.

Ish-ministri i Jashtëm i Rumanisë thotë se zgjidhja më ideale për rumunët do të ishte mosparaqitja e tyre fare në ndeshjet me “Dardanët”, përkundër faktit se mund t’i humbasin ato në tavolinë me rezultat zyrtar, 0:3.

“Kosova nuk është e pranuar nga një numër i shteteve, përfshirë edhe neve, Rumaninë. Ne nuk e kemi njohur kurrë pavarësinë e Kosovës. Normalisht, ajo që mund ta bëjmë ne për momentin është që Federata e jonë e Futbollit, përmes Razvan Burleanu, të diskutojë me shtetet tjera që gjenden në pozicion të njëjtë me Rumaninë dhe së bashku ta gjejnë rrugën, e cila nuk do ta shkatërronte sistemin tonë, që të mos i shkelim dhe t’i shpërfillim gjërat që janë mjaft të qarta në pikëpamjen e Rumanisë. Për këtë, do të thosha që Federata Rumune ta gjejë një zgjidhje. Nëse jo, ajo që mund ta bëjë është, që të humbasë 0:3 nga Kosova. Le të mos paraqitemi në lojë ndaj Kosovës”, – deklaroi Melescanu për “Antena 3”.

Federata Rumune dhe Kombëtarja e këtij vendi mund të dënohen rëndë nëse nuk pranojnë të luajnë me Kosovën dhe nëse nuk e trajtojnë atë njëjtë si Kombëtaret tjera.

Kujtojmë, Kosova bënë pjesë në grupin “I”, së bashku edhe me Zvicrën, Izraelin, Bjellorusinë dhe Andorën. Ndeshjen e parë në kuadër të këtyre eliminatoreve, Kosova ndaj Rumanisë do ta zhvillojë me datë me datë 16 qershor të vitit 2023, ndërsa atë kthyese në tokën rumune me datë 12 shtator të vitit të ardhshëm. (infOSport.mk)

Leave a Reply