Simonovski refuzoi ftesën e Milevskit, për t’i qendruar besnik skuadrës së Dritës!

Marko Simonovski është duke kaluar në një formë fantastike në këtë fillim të sezonit 2022/23 me fanellën e Dritës në Superligën e Kosovës. Forma e tij aktuale ka shtyrë edhe seleksionuesin e Maqedonisë, Bllagoja Milevski, për të ftuar atë në përfaqësuese për ndeshjen kontrolluese kundër Arabisë Saudite, ndeshje kjo që në program është me datë 22 në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara.

Siç raporton e përditshmja kosovare, “Gazeta Olle”, Simonovski e ka refuzuar ftesën e Milevskit, pasiqë është i fokusuar në ndeshjet e rëndësishme që e presin skuadrën e tij në Superligën e Kosovës.

Ftesa e bërë nga ana e përfaqësueses së Maqedonisë për 30-vjeçarin, përfshin datat 16-23 tetor, pikërisht koha kur skuadra gjilanase zhvillon dy ndeshje mjaft të rëndësishme, kundër Prishtinës dhe Ferizajit.

Sulmuesi i bardhekaltërve ka vendosur që ftesa të refuzohet në mënyrë që t’i ndihmojë ekipit të tij në këto dy ndeshje në elitën e futbollit kosovar.

Simonovski në 10 paraqitje me Dritën në këtë sezon ka shënuar shtatë gola dhe ka dhuruar një asistim, duke ndihmuar skuadrën e tij që të udhëheq renditjen tabelare me 24 pikë, 3 më shumë se kampionët në fuqi të Ballkanit.

Me përfaqësuesen A të Maqedonisë, Simonovski numëron 3 praqitje, teksa është paraqitur 7 herë me U21 dhe plotë 17 herë me U19.

Leave a Reply