Vardar-Voska Sport, sulmi më i mirë ndaj mbrojtjes më të mirë!

Vardar – Voska Sport është derbi ndeshja e javës së 10-të në Ligën e Dytë. Skuadra e dytë në renditje do të mirëpret liderin aktual, Voska Sport, skuadër kjo që edhe vitin e kaluar i’a doli të fitojë luftën me Vardarin në garën për vendin e dytë, por që në fund nuk i’a doli të sigurojë një vend për në elitën e futbollit vendor, pasi u mposht nga Tikveshi në ndeshjen e balotazhit të zhvilluar në Strumicë.

Ambiciet e njëjta për të dyja skuadrat edhe këtë vit, e bëjnë edhe më interesante përballjen e parë të këtij sezoni mes këtyre dy super skuadrave, që në rradhët e tyre posedojnë futbollistë të njohur për futbollin vendor, por edhe shumë talente të rinj, që mezi presin të bëjnë emër në skenën e futbollit vendor.

Një ndër ta te Voska Sport pa dyshim se është edhe goleadori shkupjan, Behar Feta, gjithnjë i ndihmuar nga dyshja me shumë përvojë Izair Emini-Alen Jasharovski. Kjo treshe së bashku ka arritur të shënojë plotë 15 gola nga gjithsej 24 gola të shënuar të Voska Sport, që në këtë mënyrë mund të lëvdërohet me sulmin më të mirë në Ligën e Dytë.

Pikërisht nesër sulmi më i mirë i 9 xhirove të kaluara në Ligën e Dytë përballë do të ketë mbrojtjen më të mirë, që aktualisht e ka Vardari, kundërshtari i rradhës së skuadrës së Voska Sport.

Vardari në 9 xhiro ka pranuar vetëm 3 gola,  edhe atë nga Detonit Plaçkovica, Karaormani dhe Gostivari. Këta të fundit ekipit “kuqezi” nga Shkupi i shkaktuan disfatën e vetme të këtij sezoni, ndërsa në anën tjetër Voska Sport në ndeshjen e nesërme do të futet si skuadra e pamposhtur.

Gjitha këto të dhëna janë paralajmërim se të shtunën në stadiumin e Hekuranës në Shkup do të shohim një futboll shumë cilësorë. (infOSport.mk)

Leave a Reply