Derbi i ligës së dytë i takon Vardarit, Gostivari pa probleme mundi Kozhuvin në Gjevgjeli (VIDEO)

Derbi ndeshja e ligës së dytë midis Vardarit dhe Voska Sport, e vlefshme për javën e 10-të, është mbyllur me fitore minimale 2:1 të skuadrës vendase, njofton “infOSport.mk”.

Doli të jetë kjo një ndeshje me dy pjesë të ndryshme, ku e para foli për vendasit, derisa në të dytën regjistruam një dominim të plotë të Voska Sport, skuadër kjo që megjithatë nuk i’a arriti qëllimit që nga Shkupi të largohet me pikë.

Deçizive në fitoren e “kuqezinjëve” nga Shkupi dolën të jenë minutat 18 dhe 20, kur fillimisht Dario Desniq dhe më pas edhe kapiteni Darko Micevski me një eurogol të vërtetë bënë që Vardari në ato momente të avansojë me dy gola epërsi.

Bazuar në rezultatin e pjesës së parë, trajneri i Voska Sport, Berat Imeri, pjesën e dytë e nisi me një ndryshim, duke i dhënë mundësinë edhe sulmuesit Alen Jasharovski, i cili në minutën e 57-të kishte mundësinë për të shënuar golin e parë për skuadrën tonë, mirëpo i njëjti nuk nuhati mirë harkimin nga e djathta të Arlind Alitit.

Paraprakisht Behar Feta u kanos nga brendia e zonës, mirëpo goditja e tij u ndal nga portieri Gaçevski.

Vijonin sulmet e skuadrës së Voska Sport, e cila në minutën e 80-të përfitoi një penalti pas një grushtimi të topit të portierit Gaçevski, që kishte përfunduar në duart e Nenad Mishkovskit. Një gjë të tillë kishte vërejtur edhe arbitri kryesor Aleksandar Stavrev, që pa u menduar dy herë tregoi në pikën e bardhë.

Përgjegjësinë e ekzekutimit e morri kapiteni i Voska Sport, Izair Emini, i cili nuk gaboi, duke shënuar kështu golin e 6-të sezonal për rezultat 2:1, që në fund doli të jetë edhe rezultati përfundimtarë i këtij takimi.

Me fitoren e sotme, Vardari sërish rikthehet në pozitën e parë me 25 pikë, dy më shumë se Voska Sport, që tashmë renditet në pozitën e tretë, pasi vendi i dytë i takon Gostivarit me 24 pikë.

Këta të fundit në ndeshjen e zhvilluar në Gjevgjeli, falë golave të shënuar nga Stojçevski, Kalanoski dhe Peev, mundën Kozhuvin me rezultatin e thellë 3:0. (infOSport.mk)

Leave a Reply