Miqësore, Voska Sport mundi fqinjët e Struga Trim Lum

Pauzën në kampionatin vendor sot e kanë zhvilluar dy skuadrat shqiptare buzë liqenit, Voska Sport dhe Struga Trim Lum. Këto dy skuadra në stadiumin “Burimet e Biljanës” në Ohër zhvilluan një miqësore, që në fund i takoi ekipit vendas të Voska Sport me shifrat 4:2, njofton “infOSport.mk”.

Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e Struga Trim Lum, falë golitë të shënuar nga kapiteni Flamur Tairi nga pika e bardhë.

Në fillimin e pjesës së dytë, një autogol bëri që Voska Sport të barazojë shifrat, derisa në listën e golashënuesve për këtë skuadër u regjistruan edhe Albin Ramadani, Albin Rexhepi dhe përforcimi më i fundit i kësaj skuadre, Ardit Demiri, i ardhur nga rradhët e Borecit.

Vlen të theksohet se të dy trajnerët ju dhanë mundësinë më së shumti atyre futbollistëve me më pak minutazh, derisa nuk prekën titullarët e tyre, sidomos trajneri Zaharievski i Struga Trim Lum,  që kishte vendosur të pushojë yjet si, Ibraimi, Shabani, Bojku, Radiç, Merxhani, etj.

Kujtojmë Struga Trim Lum në fundjavë do të përballet me Sileksin në Kratovë, derisa Voska Sport si vendas do të përballet me rivalin lokal, Ohrid Lihnidos. (infOSport.mk)

Leave a Reply