Besart Ibraimi: Besoj se me meritë jemi kampionët e ri të Maqedonisë

Struga Trim Lum dje edhe zyrtarisht festoi titullin e parë kampion në Maqedoni, ndërsa një nga më të merituarit për këtë arritje, pa dyshim se është edhe sulmuesi Besart Ibraimi.

Golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit vendor, pavarësisht moshës edhe njëherë tjetër dëshmoi se është i lindur për të shënuar, duke ruajtur efikasitetin e tij edhe në moshën 36-vjeçare. Ibraimi edhe me fanellën e Struga Trim Lum doli ti prijë listës së golashënuesve, aty ku dy xhiro para fundit të sezonit numëron 18 gola, duke lënë shumë larg pas vetes sulmuesin e FC Shkupit, Renato Cefas me 11 gola.

“Normalisht që është një kënaqësi e veçantë kur e marrim parasysh rrugëtimin që kemi patur gjatë gjithë sezonit. Mos të harrojmë që nga xhiroja e parë jemi në vendin e parë dhe mendoj se me meritë në fund i’a arritëm që të shpallemi kampion. Falemenderojë të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në këtë arritje, e në veçanti drejtuesit e klubit me në krye familjen Qyra, që besuan shumë te ky grup që kishim dhe në fund sollëm trofeun e më të mirit në Strugën e bukur” – deklaroi Besart Ibraimi, i cili në ndeshjen e së dielës kundër Sileksit shënoi golin e parë, duke i hapur rrugë fitores 3:0, që në fund rezultoi të kurorëzohet me një festë madhështore, pasi Struga Trim Lum dhe Ibraimi me shokë, në fund festuan titullin e parë kampion.

Leave a Reply