Nis një epokë e re për Dinamon e Tiranës. 18 herë kampionët e Shqipërisë u rikthyen në Superligën shqiptare dhe kanë nisur punën për edicionin e ri. Ndryshime të mëdha pritet që të ndodhin në nivelin ne drejtimit, por dhe në mënyrën e organizimit.
Burime të “SuperSport” bëjnë me dije se Dinamo do të ndryshojë emrin, logon, por dhe mënyrën e menaxhimit të skuadrës. Emri i ri do të jetë Dinamo City.
Njëkohësisht do të ndryshojë dhe fanella e skuadrës, ku do të jetë mbishkrimi “Durrës Yachts & Marina”. Iniciatorët e këtij projekti janë personat që kanë marrë përsipër projektin e qytetit të Durrësit, çka përligj dhe emrin e sponsorit në fanellat e reja.
Në kuadër të këtyre ndryshime, Ardian Bardhi nuk do të jetë investitori i vetëm i klubit Dinamo City, pasi në vijim pritet që të ketë dhe disa biznesmenë të tjerë që do të afrohen në klub.
Pak ditë më parë ka patur një takim “kokë më kokë” mes presidentit Bardhi dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili do të mbështesë këtë projekt. Qeveria shqiptare do i dhurojë 70 mijë metra tokë në rrethinat e Durrësi, ku do të ndërtohet qendra stërvitore.
Dinamo City do të ketë bashkëpunim me akademinë e Manchester City, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar para zgjedhjeve të muajit maj. Nga kryeministri Rama dhe ministrja e Arsimit Kushi në Angli, me përfaqësuesit e kampionëve të Europës.
Në organizimin e klubit kryeqytetas do të angazhohet dhe Igli Tare, ish-drejtori sportiv i Lacios, i cili do të japë ndihmën e tij për të ndërtuar një klub modern.
Ky i fundit bashkë me ish futbollistin e njohur të kombëtares italiane, Xhixhi Di Biaxho, nga afër ndoqën miqësoren midis Dinamos dhe Skënderbeut.