FC Shkupi rrëshqet që në start, mundet nga Rabotniçki (VIDEO)

FC Shkupi nuk e ka nisur aspak mbarë sezonin e ri, pasi përveç disfatës 3:1 që pësoi përballë Rabotniçkit, skuadra e trajnerit Xhihat Arslan nuk ishte aspak hija e skuadrës së sezonit të kaluar, kur tregonte futboll shumë të bukur dhe krijonte raste shënimi, pavarësisht edhe rasteve kur humbiste ndeshjet.

Disfatën e FC Shkupit e paralajmëroi sulmuesi shqiptarë nga Struga, Atdhe Mazari, i cili vetëm pas 31 sekondave loja, arriti që të tund rrjetën e Iljazit. FC Shkupi tentoi të rikthehet shpejtë, duke rrezikuar portën vendase në minutat 23 dhe  26, mirëpo pa sukses, ashtu që në pushim skuadrat shkuan me vetrëm një gol të shënuar në rrjetën e “bardhebluve” nga  Çairi.

Pjesa e dytë nisi më e konsoliduar, me një FC Shkup, që u mendua se rimori veten, mirëpo edhe kjo ndodhi vetëm për një periudhë të caktuar. Nga rivënia e këndit e ekzekutuar në minutën e 62-të nga ana e Arbi Voshës, Darko Ilieski u gjind më së miri në shtyllën e dytë dhe nga afërsia shënoi për barazim të rezultatit në 1:1.

Këto shifra nuk ndryshuan deri në minutën e 82-të, kur Aleksandar Stavrev tregoi në pikën e bardhë në favor të “romantikëve”. Përgjegjësinë për të ekzekutuar këtë 11-të metërsh, e morri tetovari Mevlan Murati, i ardhur këtë verë nga rradhët e Shkëndijës, i cili nuk gaboi dhe me një saktësi shumë të lartë shënoi për 2:1.

Kur FC Shkupi kërkonte barazimin në minutat shtesë të takimit, ndodhi e kundërta. Portieri i Rabotniçkit Aleksovski me një diagonale të gjatë gjeti bashkëlojtarët e tij para zonës kundërshtare, aty ku me disa pasime të njëpasnjëshme topi arriti deri te Vlatko Stojanovski, i cili nuk fali dhe në minutën e 6-të, nga koha shtesë shënoi edhe golin e tretë për “romantikët”.

FC Shkupi në kuadër të xhiros së dytë me shumë gjasa sërish do të luaj në Maxhari, këtë herë ndaj Vardarit të rikthyer në Ligën e Parë. Në anën tjetër Rabotniçki do të udhëtojë drejt Kratovës për tu përballur me Sileksin. (infOSport.mk)

Leave a Reply