ZYRTARE, Enver Sulejmani emërohet Drejtor Gjeneral te Voska Sport

Enver Sulejmani, një emër i njohur i futbollit vendor, i cili për plotë 5 vite (2013-2018) kishte luajtur edhe rolin e zëvendës sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, edhe zyrtarisht është emëruar në postin e Drejtorit gjeneral te skuadra e Voska Sport, transmeton “infOSport.mk”.

Ai në këtë pozitë vjen me pëlqimin e presidentit të klubit, Nefi Useini, pasi paraprakisht Sulejmani luante edhe rolin e këshilltarit te klubi shqiptarë nga Ohri.

Pikërisht këshillat e tij, por edhe përvoja që ka me futbollin, sollën suksesin e duhur te skuadra e Voska Sport, e që ky sukses tashmë pritet të thellohet edhe më shumë me Sulejmanin në pozitën e Drejtorit Gjeneral.

Kujtojmë Voska Sport po zhvillon vetëm sezonin e parë në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, aty ku kjo skuadër synon të jetë për shumë vite, madje duke luajtur edhe një rol të rëndësishëm.

Ndryshe, Enver Sulejmani është punëtor shumëvjeçar në futbollin e vendit tonë. Ai kishte qenë një nga anëtarët më të rëndësishëm Shkëndijës së viteve “92-96” kur ndërtohej ekipi, e që më pas do të sillte edhe inkuadrimin historik për herë të parë në elitën e futbollit të Maqedonisë.

Sulejmani gjithashtu kishte dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm edhe te KF Renova, duke e bërë klubin e parë nga Tetova që do të shpallej kampion i Maqedonisë, ndërsa gjithashtu me këtë skuadër kishin fituar edhe Kupën e Maqedonisë, për të luajtur më pas disa herë edhe në ndeshjet eliminatore të Kupave Europiane, përfshirë këtu edhe Inter Toto Kup, që tashmë nuk ekziston.

 

Leave a Reply