Juventus Serava kërkon përkrahjen e tifozëve shkupjan për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit

Juventus Serava gjatë ditës së sotme zhvillon një ndër ndeshjet më të rëndësishme të sezonit në Ligën e Dytë të Futsalit, njofton “infOSport.mk”. Skuadra e trajnerit Gafur Hasani do të mirëpret ekipin e Korabit, rivalin e drejtëpërdrejtë për atë pozitë të dytë, që siguron një vend për në mesin e më të mirëve në futsalin vendor.

Ndeshja e parë e zhvilluar në Dibër mes shumë polemikash, i kishte takuar Korabit, ndërsa sot “bardhezinjtë” nga Serava do të kërkojnë fitoren, që do i afronte ata shumë afër objektivit.

Aktualisht, Juventus Serava ka 49 pikë dhe ndodhet në pozitën e dytë, derisa Korabi me 47 pikë renditet në pozitën e tretë. Një fitore eventuale e “bardhezinjëve” nga Shkupi, do i afronte ata shumë afër objektivit, pasi deri në fund të kampionatit do të zhvillohen vetëm edhe tre xhiro, në të cilat, Juventus Serava do të luaj kundër Konzulit nga Manastiri në transfertë, pastaj kundër Mal Ajaksit në shtëpi dhe së fundmi në Bërvenicë, kundër FK Partizan Jug Brvenica.

Kështu, sot në Shkup pas ndeshjes që zhvillon FC Shkupi kundër Tikveshit, të gjitha rrugët shpiejnë drejtë palestrës “Enver Idrizi” në lagjen Serava, aty ku gjithë ju do të duhet të përkrahni skuadrën emblemë të kësaj lagje, nga e cila vite me rradhë po dalin talentë të futsalit.

Ndeshja midis Juventus Seravës dhe Korabit, starton në ora 20:00. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply