Kupa e Kosovës, në finale do të luajnë Prishtina dhe Llapi

FC Prishtina ka dhënë një mesazh të qartë se është rikthyer fuqishëm në garë për trofe dhe dalje në Evropë. Skuadra nga kryeqendra kosovar është kualifikuar në finalen e Kupës së Kosovës pas një fitoreje të madhe ndaj Dritës së Zekirja Ramadanit, me rezultat 3:0, në sfidën e kthimit të gjysmëfinales, të zhvilluar të mërkurën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ndonëse përballë kishin liderin aktual të Superligës dhe njërën prej skuadrave më stabile të këtij edicioni, “bardhekaltrit” e drejtuar nga Arsim Thaçi shkëlqyen në çdo aspekt të lojës, duke e mbyllur gjysmëfinalen me rezultat të përgjithshëm 4:0 pas dy ndeshjeve.

Heroi i mbrëmjes për Prishtinën ishte Ardian Muja, që realizoi dy gola në pjesën e parë. Ai shënoi në minutën e 10-të pas një asistimi të saktë nga Ramiz Bytyqi, ndërsa gjeti rrjetën sërish në minutën e 39-të pas kombinimit me Leotrim Kryeziun.

Vetëm pak minuta më pas, në fundin e pjesës së parë, Albin Krasniqi vendosi “vulën” e fitores me një supergol nga gjuajtja e lirë, që ngriti në këmbë tifozët prishtinas, të cilët përkundër reshjeve të shiut i qëndruan besnikë skuadrës së tyre të zemrës.

Kësisoj, në finalen e Kupës së Kosovës do të ballafaqohen Prishtina dhe Llapi. Kjo do të jetë përballja e parë e këtyre dy skuadrave në një finale të kupës.

Për Prishtinën kjo është hera e tretë radhazi që do të luajë në finale.

Vitin e kaluar humbi nga Ballkani, kurse dy vjet më parë triumfoi ndaj Gjilanit.

Ndërkaq, për Llapin kjo do të jetë finalja e tretë në pesë vitet e fundit, duke triumfuar në vitet 2021 dhe 2022.

Ndeshja finale është paraparë të zhvillohet më 14 maj në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse fituesi krahas trofeut e siguron edhe pjesëmarrjen në garat evropiane, më saktësisht në “UEFA Europa League”.

 

Leave a Reply