KF Arsimi vazhdon të shkruaj histori, ngec Bashkimi (VIDEO)

Skuadra “verdhezi” në derbi ndeshjen e javës së 27-të në Ligën e Dytë mundi Bregallnicën me shifrat 2:1, duke hedhur një hap të madh drejt Ligës së Parë. Tashmë KF Arsimi renditet në pozitën e dytë me 58 pikë, vetëm dy më pak se Makedonija GJ.P, të cilën skuadër e mirëpret në Gostivar fundjavën e ardhshme, 10 maj.

Paraprakisht kjo skuadër në mesjavë do të udhëtojë drejt Velesit, për tu përballur me Borecin, që tashmë ka humbur statusin e skuadrës së Ligës së Dytë, derisa në xhiron e fundit, atë të javës së 30-të, skuadra e Vildan Saliut do të përballet me Vardar Negotinon në transfertë.

Ndryshe më të merituar për fitoren e sotme ndaj Bregallnicës, ishin mbrojtësi Ajradin Cuculi dhe sulmuesi Alban Taipi, që shënuan nga një gol në secilën pjesë.

Për dallim nga KF Arsimi, skuadra e Bashkimit bëri një hap falës, duke barazuar 1:1 në Kumanovë përballë Skopjes.

Ishte skuadra shkupjane që avansoi e para në këtë ndeshje,  derisa Bashkimi arriti që të barazojë rezultatin përmes rezervistit, Alban Memeti në minutën e 78-të.

“Zigjelbërit” me të gjitha forcat tentuan për të shënuar edhe golin e fitores, mirëpo fati nuk ishte me ta, ndërsa në dy raste edhe përkundër pretendimeve për penalti, nuk përfituan një gjë të tillë, pasi arbitri kryesor kishte mendje tjetër, duke treguar që loja të vazhdojë.

Pas këtij barazimi, Bashkimi tashmë numëron 57 pikë, që e rëndisin këtë skuadër në pozitën e tretë, menjëherë pas KF Arsimit të vendit të dytë që ka një pikë më shumë, derisa pozitën e parë e mban Makedonija GJ.P, me 60 pikë.

NDESHJET TJERA

Liderët e Makedonija Gj.P, nuk e diskutuan aspak fitoren përballë Borecit, duke e mundur me shifrat 3:0 falë golave të shënuar nga Jovan Popzlatanov, Kire Marskoski dhe Krste Velkovski. Pas kësaj disfate, Boreci edicionin e ardhshëm do të luaj në Ligën e Tretë, njëjtë sikurse edhe Vardarski, skuadër kjo që në transfertë pësoi disfatë 4:0 përballë Novacit.

Bellasica u dorëzua në shtëpi përballë Detonit nga Radovishi, Sasa në një super ndeshje me shifrat 4:2 në Kamenicë mundi Vardar Negotinën, Ohrid Lihnidos me rezultatin minimal 1:0 mundi Kozhuvin, ndërkohë ndeshja midis Pobedës dhe Osogovës u mbyll me barazim pa gola.

LDFMV | Java 27

Bashkimi 1:1 Skopje
Arsimi 2:1 Bregallnica
Makedonija Gj.P 3:0 Boreci
Bellasica 1:2 Detonit Pla.
Sasa 4:2 Vardar Neg.
Novaci 4:0 Vardarski
Ohrid Lih. 1:0 Kozhuvi
Pobeda 0:0 Osogovo

Leave a Reply