Shkëndija e Haraçinës tejkalon shifrën e 100 golave brenda sezonit

Shkëndija e Haraçinës nuk u tregua aspak e mëshirshme ndaj FK Rzhaniçino, në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të në Ligën e Tretë – Veri, shkruan “infOSport.mk”.

“Kuqezinjtë” në këtë ndeshje numëruan deri në 16 gola, duke tejkaluar kështu shifrën e 100 golave brenda një sezoni.

Plotë 102 gola për ekipin kuqezi të trajnerit Erkan Murseli, ndërsa deri në fund do të zhvillojnë edhe tre ndeshje të tjera, ku do të mund të shënojnë edhe shumë gola tjerë, duke pasur parasysh se përballë do të kenë kundërshtarë shumë të lehtë.

Javën e ardshme ata do të jenë mysafir të Akademia Ilinden, për të mirëpritur më pas në Hasanbeg skuadrën e fundit në renditje, Neë Stars, ndërkohë në xhiron e fundit, atë të javës së 26-të që është në program me datë 18 maj, Shkëndija e Haraçinës do të luaj si mysafir kundër FK Aerodrom.

NDESHJA E SOTME

Sa i përket takimit të sotëm kundër FK Rzhaniçino, Shkëndija që nga fillimi u vërsul në sulm, ndërsa kjo na bëri të qartë se “kuqezinjtë” nga Haraçina ishin të disponueshëm për lojë dhe për gola.

Tre futbollistë, si Mërgim Dani, Dario Desniq dhe Fikret Livareka shënuan nga tre gola, Muaz Salihi realizoi një dopietë, ndërsa nga një gol shënuan edhe Shuajb Aliti, Betim Isenit, Omer Sulejmani si dhe vëllezërit, Artan dhe Rufat Çilafi.

RENDITJA TABELARE

Pas 23 xhirove, Shkëndija e Haraçinës numëron 64 pikë, plotë 22 pikë më shumë se skuadra e dytë në renditje Fortuna, që sot u përballë me ekipin e Pçinja në transfertë.

Me 16 golat e shënuar sot kundër  FK Rzhaniçino, skuadra e Shkëndijës së Haraçinës, tashmë numëron plotë 102 gola të shënuar, ndërsa ka pranuar vetëm 5 gola, apo 0.2 gola për ndeshje.

Statistika të frikshme të skuadrës nga Haraçina, që meriton një vend në Ligën e Dytë, për të cilën do të duhet të luftojë përmes ndeshjes së balotazhit, e ku mund të përballet me ndonjë nga skuadrat kampione të Ligave të treta.

Kundërshtarin “kuqezinjtë” nga Haraçina do ta mësojnë përmes shortit. (infOSport.mk)

Leave a Reply