Kumanovari Naser Aliji, është përzgjedhur në formacionin më të mirë të Superligës së Shqipërisë, për vitin 2025, njofton “infOSport.mk”.
Aliji ishte një ndër shtyllat kryesore në krahun e majtë të mbrojtjes te Dinamo City i Ilir Dajës, ndërsa njëkohësisht i njëjti me shumë sukses kur i jepej mundësia mbronte edhe ngjyrat e Kombëtares shqiptare, që ka arritur deri në ndeshjet e “play-off”, përmes të cilave mund të sigurojë një vend për në Botërorin e vitit 2026.
Bashkë me Alijin, në repartin e mbrojtjes si më të mirët e vitit 2025 u përzgjodhën edhe Emiljan Musta (AF Elbasani), Arbenit Xhemajli (Egnatia) dhe Abdurrahman Fangaj (Egnatia).
Ndryshe, epitetin e portierit më të mirë për vitin që lamë pas në Superligën e Shqipërisë, e morri ai i Egnatias, Mario Dajsinani, që njëherit mbron edhe ngjyrat e Kombëtares shqiptare.
Në mesfushë janë përzgjedhur, Adnard Mehmeti (Partizani), Albano Aleksi (Egnatia) dhe Esat Mala (Vllaznia), ndërsa treshja e sulmit përbëhet nga, Dejvi Bregu (Dinamo City), Baton Zabërgja (Dinamo City) dhe Bekim Balaj (Vllaznia).
Njëherit, sulmuesi i skuadrës shkodrane ishte fitues edhe i “Topit të Artë 2025”, duke e rrëmbyer këtë çmim për të dytin vit me rradhë.
Ndërkohë në konkurrencë të femrave, çmimi “Topit të Artë 2025”, i takoi futbollistes së Vllaznisë, Megi Doçi. Shkodra, që ndryshe njihet edhe si djepi i futbollit shqiptarë, rrëmbeu çmimet e më të mirëve për vitin 2025, duke dëshmuar edhe njëherë tjetër këtë epitet. (infOSport.mk)
