Shkëndija “ME” ose “PA” vëllezërit Ramadani në pranverë!?

Në mungesë të ndonjë transferimi zyrtarë, si gjithnjë kanë nisur zërat për lëvizjet e mundshme të futbollistëve. Në këtë aspekt nuk kursehet as edhe Shkëndija, skuadra kampione në fuqi e vendit tonë, që vitin që lamë pas shkroi historinë më të re edhe në arenën europiane, duke u kualifikuar fillimisht në grupet e Ligës së Konferencës, e më pas edhe në ndeshjet e “play-off” të këtij kompeticioni.

Është ky pa dyshim suksesi më i madh për Shkëndijën, për të cilin nuk mburret vetëm Tetova, apo vetëm shqiptarët nga Maqedonia, por gjithë shqiptarët ane mbanë Botës.

Deri te ky sukses, Shkëndija ka arritur me shumë mund dhe sakrificë, por edhe futbollistë kualitativ që ka pasur në skuadër.

Si të tillë, pa dyshim se mund ti konsiderojmë edhe dy vëllezërit Florent dhe Reshat Ramadani. Kjo dyshe janë ADN-ja e Shkëndijës, ndërsa falë cilësive që posedojnë, por edhe besnikërisë  dhe modestisë së tyre, ata janë ndër më të dashurit edhe në mesin e tifozëve të skuadrës tetovare.

Si pasojë, dëshira e tyre dhe gjithë “Ballistëve”, është që ata të qëndrojnë te Shkëndija, mirëpo mund të ndodh gjithashtu që ata të largohen nga skuadra e tyre e fëmijërisë, për të cilën dhanë gjithçka dhe njëherit u rritën me ngjyrat e saj, kuqezi.

Vëllait më të vogël, Reshatit, tashmë i ka përfunduar huazimi nga gjigandët ukrainas të Dinamo Kiev, ashtu që i njëjti pritet të rikthehet në Ukrainë.

Ai ishte ndër futbollistët më të dalluar për gjatë vitit 2025, duke e ndihmuar Shkëndijën dukshëm edhe në arenën ndërkombëtare.

Paraqitjet e tij në këto gara, dëshmuan se Reshati thjeshtë është i lindur për futbollin europian, të cilin mbetet të shihet nëse do ta shijojë edhe në pranverë me Shkëndijën, apo me ndonjë klub tjetër.

Tashmë fjalën e kanë drejtuesit e Shkëndijës, që duhet të hidhen në aksion dhe të vendosin për të ardhmen e Reshatit.

Ata gjithashtu pritet të vendosin edhe për fatin e Florentit, për shërbimet e të cilit interes serioz kanë shfaqur KF Tirana dhe Rabotniçki.

Drejtuesit e këtyre skuadrave tashmë kanë trokitur në dyert e Shkëndijës për tu interesuar rreth angazhimit të tij, mirëpo informacionet që posedon “infOSport.mk”, thonë se ato oferta janë refuzuar automatikisht nga drejtuesit e skuadrës tetovare.

Është pikërisht trajneri Jeton Beqiri që ka insistuar në një gjë të tillë, duke e bërë me dije se llogarit në shërbimet e Florentit edhe për pjesën pranverore.

Për momentin, kjo është e vërteta, mirëpo gjërat mund të ndryshojnë varësisht edhe prej merkatos që pritet të bëjnë drejtuesit e Shkëndijës.

Informacione bukur të besuara për “infOSport.mk”, thonë se Drilon Islami është shumë pranë për të veshur fanellën “kuqezi” të skuadrës kampione të Shkëndijës, ndërsa një gjë të tillë pritet të bëjë edhe Fahd Richard Ndzengue Moubeti i AP Brera, që stinorin vjeshtorë e mbylli me 8 gola dhe 2 asistime.

I njëjti shihet si zëvendësim për Fabrice Tamba, që pritet të largohet nga Shkëndija, kjo pasi “kuqezinjtë” nuk po mund të ju rezistojnë ofertave që vijnë për senegalezin, ndërsa të njëjtat nuk mungojnë edhe për kapitenin, Klisman Cake, që me shumë gjasa viti 2026 do ta gjejë me skuadër të re. (infOSport.mk)

Leave a Reply