Florent Ramadani me shumë gjasa pritet të largohet nga Shkëndija, madje edhe nga futbolli vendor, pasi në adresë të mesfushorit tetovarë kanë arritur disa oferta të majme, që nuk mund të refuzohen.
Siç mëson ekskluzivisht “infOSport.mk”, për shërbimet e Florentit interes kanë zgjuar dy skuadrat ukrainase, Kryvbas dhe Kolos, mirëpo nuk mungon edhe interesimi nga disa skuadra të tjera nga Ballkani.
Mbetet të shihet nëse Shkëndija do të pranojë të lë të lirë mesfushorin 25-vjeçar, i cili po kalon 6 muajt e fundit te skuadra e tij e fëmijërisë.
Pikërisht, kjo ka bërë që drejtuesit e Shkëndijës të rishikojnë ofertat në adresë të futbollistit të tyre, i cili i ka qëndruar besnik skuadrës “kuqezi”, tashmë për më shumë se 5 vite.
Ai gjatë stinorit vjeshtorë luajti në 11 ndeshje kampionale, duke regjistruar dy gola dhe 1 asistim brenda 504 minutave sa kishte kaluar në fushë. I njëjti u paraqit edhe në 10 ndeshje europiane, aty ku me Shkëndijën arritën të shkruajnë historinë më të re.
Ndryshe, Florent Ramadani me Shkëndijën numëron gati 150 ndeshje, 121 prej të cilëve në Ligën e Parë, aty ku ka shënuar edhe 15 gola.
Mbetet të shihet nëse do të bëhet realitet një transferim i tij në Ukrainë, aty ku vite më parë u transferua edhe vëllai i tij, Reshati. Këtij të fundit tashmë i ka përfunduar huazimi nga rradhët e Dinamo Kiev, ashtu që shumë lehtë mund të ndodh që një përballje mes vëllezërve Ramadani të shohim në futbollin ukrainas!? (infOSport.mk)

