Merkatoja po merr formën e duhur edhe në futbollin tonë vendor. Skuadrat kanë filluar të prezantojnë futbollistë të rinj, ndërkohë ka edhe prej atyre që ende ndodhen në udhëkryq. Disa për shkak kërkesave të larta të vetë futbollistëve, e disa për shkak kërkesave të larta financiare që kërkohen nga klubet që kanë në ponësi futbollistët në fjalë.
I tillë është rasti edhe me mbrojtësin shkupjan, Anes Meliqi. Siç mëson ekskluzivisht infOSport.mk, gjatë muajit dhjetor në adresë të skuadrës tetovare kishte arritur në ofertë e majme për mbrojtësin e tyre, Anes Meliqi.
Ishte skuadra e Al-Fateh SC nga Superliga e Arabisë Saudite që kishte kontaktuar drejtëpërdrejtë drejtuesit e Shkëndijës. Ata e kishin kërkuar fillimisht në huazim Meliqin, që më pas në fund të vitit të blejnë kartonin e tij në vlerë prej 300 mijë eurove.
Megjithatë një ofertë e këtillë nuk ju kishte pëlqyer drejtuesve të skuadrës “kuqezi” nga Tetova, të cilët kishin kërkuar blerjen e menjëhershme të kartonit të futbollistit të tyre 19-vjeçar, i cili me Shkëndijën ka kontratë deri verën e vitit 2027.
Kujtojmë, Meliqi pjesë e ekipi të parë të Shkëndijës është që nga 1 janari i vitit 2024, ndërsa i njëjti tashmë numëron më shumë se 40 ndeshje me këtë skuadër.
19-vjeçari Meliqi aktualisht është edhe pjesë e përfaqësueses shpresa të Maqedonisë së Veriut, ndërsa kishte qenë gjithashtu pjesë e ekipeve zinxhir të ekipit përfaqësues futbollistik të vendit, duke filluar që nga U16 e deri te ajo U19, para se të kalonte te ekipi U21, për të cilën numëron 12 ndeshje dhe 1 gol. (infOSport.mk)
