Të mërkurën në Kumanovë u zhvillua gjysmëfinalja e Kupës midis Shkëndijës së Haraçinës dhe Shkëndijës së Tetovës.
Pavarësisht se “kuqezinjtë” nga Tetova ishin favorit absolut, gjërat në fushën e blertë treguan se edhe haraçinasit nuk ishin inferior, madje gjatë pjesë së parë ishin kundërshtarë më i mirë, duke qëlluar madje edhe shtyllën.
Megjithatë gjërat ndryshuan në pjesën e dytë.
Vallë çfarë ndodhi mes pjesëve në dhomat e xhveshjes së Shkëndijës së Haraçinës!?
Siç mësojmë jo zyrtarisht në mesin e 5-6 futbollistëve vendas kishte pakënaqësi, pasi të njëjtit nuk dëshironin të luanin sipas disa urdhërave, gjë kjo që bëri që ato në vijim të pjesës së dytë të zëvendësohen.
Largimi i tyre që ndodhi pas minutës së 60-të, shkaktoi një ndryshim drastik të lojës, e ku si pasojë pamë një Shkëndijë krejt anemike, e sidomos gjatë shënimit të golave, ku bie në sy goli i parë i shënuar nga Sebastian Spahiu.
Në këtë rast lë për të dëshiruar intervenimi i portierit Shukriu, që saktë pas një ore lojë kishte zëvendësuar portierin titullarë Stolevski, që deri në ato momente ishte në nivel të detyrës, dhe nuk lejonte gëzimin e futbollistëve të Shkëndijës.
Vallë pse ai ndryshim në çastet e fundit të takimit dhe gjithë ato zëvendësime të pakuptmita, kur nga loja u largua edhe kapiteni Amir Nuhija, ndërsa si pasojë haraçinasit pranuan dy gola që shuajtën ëndërrën e tyre për të shkruar historinë.
Mbetet të shihet se cili do të jetë reagimi i tyre në fundjavë në ndeshjen kundër Bregallnicës, ndeshje që mund të vendos edhe fatin e tyre të sezonit.
Sa afër, po edhe aq larg historisë…
