Trajneri Beqiri dhe kapiteni Zejnullai, flasin në prag të finales kundër Sileksit!

Shkëndija dhe Sileksi nesër në Shkup do të zhvillojnë finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.

Për të dyja skuadrat, në veçanti për Sileksin, trofeu do të ju shpëtonte sezonin, kjo pasi skuadra nga Kratova do të siguronte një vend për në ndeshjet e Ligës së Konferencës, aty ku tashmë një gjë të tillë kanë bërë futbollistët e Shkëndijës, që sezonin e rregullt e mbyllën si nënkampion.

Megjithatë, pavarëisht këtij fakti, nga tabori i Shkëndijës paralajmërojnë një luftë të pa-kompromis në finalen e nesërme, që do të jetë e para pas plotë 8 viteve.

“Kemi një respekt të veçantë për Sileksin, pasi është një skuadër që ka treguar stabilitet dhe cilësi në vitet e fundit. Megjithatë, ne si Shkëndijë jemi të motivuar maksimalisht. Gjendemi në finale pas 8 viteve dhe do të bëjmë çmos që në fund të ndeshjes të jemi ne ata që do të gëzohemi dhe do të festojmë së bashku me tifozët tanë.” – u shpreh trajneri i Shkëndijës Jeton Beqiri, i cili në Konferencën për shtyp para gazetarëve, doli së bashku me kapitenin Arbin Zejnullai.

Sipas tij, ndeshja e nesërme kundër Sileksit është një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme për Shkëndijën e Tetovës, që dëshiron ta mbyll vitin e suksesshëm edhe me një trofe tjetër, të cilin për herë të fundit e kishin fituar në vitin 2018-të.

“Shkëndija gjithmonë në fillim të sezonit luan për tre objektiva, Europën, kampionatin dhe Kupën. Në Europë bëmë paraqitje spektakolare, në kampionat ishim në garë deri në momentet e fundit, ndërsa nesër kemi finalen e madhe. Për ne si klub, si qytet dhe si tifozëri, kjo është një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme. Do të japim gjithçka nga vetja për ta fituar këtë ndeshje dhe për ta marrë këtë trofe.” – u shpreh kapiteni i Shkëndijës, Arbin Zejnullai.

Ndeshja finale midis Shkëndijës dhe Sileksit do të zhvillohet me datë 20 maj (e mërkurë) në arenën Todor Proeski me fillim në ora 20:00.

Leave a Reply