Sileksi ka fituar trofeun e Kupës së Maqedonisë, pasi sonte në arenën “Todor Proeski” në Shkup mundën Shkëndijën me rezultatin minimal 1:0, njofton “infOSport.mk”.
Me këtë fitore, skuadra nga Kratova siguroi një vend për në garat europiane, më saktësisht në Ligën e Konferencës, aty ku deri para pak çastesh ëndërronte të ishte edhe Struga Trim Lum.
Sileksi e nisi ndeshjen më mirë, teksa rrezikoi me anë të sulmuesit Ado Aliç, i cili njëherit shënoi edhe golin e vetëm dhe të fitores të takimit final.
Shkëndija ishte skuadër më e mirë në fushë, duke dominuar në pjesën më të madhe, mirëpo pa arritur që të rrezikojë dukshëm portën e skuadrës nga Kratova. Më afër golit “kuqezi” ishte Endrit Krasniqi, kur në pjesën e dytë me të djathtën e tij vuri në mjaft vështirësi Xhekov, i cili me një super intervenim nuk lejoi epërsinë e skuadrës nga Tetova.
Dhe kur nuk shënon, në futboll si gjithnjë pasonë dënimi. Kësisoj në minutën e 71-të, pas një pakujdesie të mbrojtësit Imran Fetai, këmbëshpejti Darko Dodev avansoi drejt zonës së Shkëndijës, derisa në momentin final pasoi për Ado Aliç, që nga afërsia nuk e kishte të vështirë të shënojë në rrjetën e Gaje.
Ky gol në fund u tregua edhe si vendimtarë në fitoren e Sileksit, që për herë të katërt në histori ngriti lartë trofeun e Kupës së Maqedonisë. (infOSport.mk)
