Përcaktohen çiftet e “play-off” për inkuadrim në Ligën e Dytë, Vllaznimi dhe Kamjani gati për të shkruar historinë

Gjatë ditës së sotme në ambientet e Federatës së Futbollit të Maqedonisë u hodh shorti për ndeshjet e play-off-it për plotësimin e Ligës së Dytë për sezonin 2026/2027.

Tetë ekipe do të garojnë për katër vende në këtë komopeticion, tre prej të cilave janë ekipe që u renditën nga vendi i 9-të deri në të 11-tin në Ligën e Dytë dhe pesë kampionë nga Ligat Rajonale, përfshirë këtu Vllaznimin e Strugës dhe Kamjanin nga fshati Kamjan.

Këta të fundit për një vend në Ligën e Dytë do të duhet të luftojnë përballë Pobedës nga Valandova, ndërkohë Vllaznimi i Strugës do të ketë një detyrë të vështirë kundër Teteksit, skuadër kjo që ka një bagazh të pasur edhe në Ligën e Parë.

Skuadra kampione e Ligës së Tretë – Veri, EuroMilk GL do të përballet me Sasa-n nga Kamenica, ndërkohë shorti deshi që në fazën “play-off” të kemi edhe një përballje mes dy ish skuadrave nga Liga e Parë, Kozhuvit nga Gjevgjelia dhe Borecit nga Velesi.

Ndeshja Teteksi – Vllaznimi do të luhet me datë 31 maj, duke filluar nga ora 16:30, ndërkohë tre ndeshjet e mbetura do të luhen një ditë më herët po në të njëjtën kohë.

Mbetet vetëm të caktohen qytetet pritëse të këtyre ndeshjeve, e që realisht zgjojnë shumë interesim në mesin e futbolldashësve në vendin tonë.

Leave a Reply