Refuzimi i pranimit të medaljeve! Shkëndija del me komunikatë zyrtare (VIDEO)

Refuzimi i pranimit të medaljeve nga ana e futbollistëve të Shkëndijës pas humbjes në finalen e madhe të Kupës kundër Sileksit, nuk ishte i qëllimshëm. Kështu thonë nga tabori i skuadrës tetovare, që lidhur me këtë ngjarje kanë dalë edhe me një komunikatë zyrtare përmes faqes së tyre zyrtare, e ku ndër të tjerash, shkruajnë:

“KF Shkëndija pranon përgjegjësinë për zhgënjimin e shkaktuar tek mbështetësit tanë me humbjen në finalen e Kupës së Maqedonisë. Ky dështim kërkon reflektim, ndërsa është e qartë se kemi gabime në radhët tona dhe sfida kryesore tashmë mbetet dalja nga kjo situatë dhe përmirësimi i mungesave evidente që kemi shfaqur.

Njëkohësisht, përmes kësaj komunikate duam të sqarojmë opinionin publik lidhur me situatën e krijuar pas finales dhe ceremonisë së ndarjes së medaljeve.

Pas përfundimit të ndeshjes, futbollistët tanë shkuan tek tifozëria për të falënderuar për mbështetjen gjatë 90 minutave dhe njëkohësisht për të kërkuar falje për zhgënjimin që u shkaktua me disfatën e sotme. Sigurisht, pas epilogut të finales, tifozët me të drejtë ishin të zhgënjyer, kështu që qëndrimi pranë tribunës zgjati më shumë sesa ishte menduar.

Futbollistët qëndruan për disa minuta pranë tribunës duke komunikuar me tifozët dhe duke mos dashur të largohen në mënyrë të papërshtatshme nga ajo pjesë e stadiumit.

Për shkak të emocioneve, zhurmës në stadium dhe situatës së krijuar në ato momente, futbollistët nuk e kanë dëgjuar thirrjen për ceremoninë e ndarjes së medaljeve. Klubi kërkoi pak kohë shtesë nga organizatorët me qëllim që skuadra të qetësonte situatën dhe të rikthehej në fushë për ceremoninë zyrtare.

Futbollistët më pas u kthyen drejt fushës, ndërsa në ato momente ishte në rrjedhë ceremonia e ndarjes së medaljeve për futbollistët e Sileksit. Një pjesë e futbollistëve tanë u drejtuan në zhveshtore për të veshur fanella apo pajisje sportive, pasi disa prej tyre kishin mbetur pa fanella duke ua dhuruar ato tifozëve menjëherë pas ndeshjes.

Theksojmë qartë se në asnjë moment KF Shkëndija nuk ka refuzuar pranimin e medaljeve dhe as nuk ka pasur qëllim të mosrespektimit të organizatorit apo ekipit kundërshtar. Dëshmi për këtë është fakti se përfaqësuesit e skuadrës sonë, përfshirë Besart Ibraimin, Arbin Zejnullain dhe Mevlan Muratin, komunikuan me organizatorët dhe njëkohësisht uruan futbollistët e Sileksit për triumfin në finale.

E gjithë situata ishte pasojë e një keqkuptimi dhe lëshimi teknik në momentet emocionale pas ndeshjes, e jo një vendim apo veprim i qëllimshëm nga ana e klubit apo futbollistëve tanë.”

Leave a Reply