Procedurë disciplinore ndaj Shkëndijës pas incidenteve gjatë finales së Kupës së Maqedonisë!

Komisioni Disciplinor pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë, pas shqyrtimit të raporteve zyrtare dhe informacioneve të tjera lidhur me ndeshjen finale të Kupës së Maqedonisë ndërmjet Sileksit dhe Shkëndijës, mori vendimet e mëposhtme:

“Hapje e procedurës disciplinore kundër Shkëndijës për shkak të mosrespektimit të himnit kombëtar, fishkëllimës së tij dhe mosngritjes gjatë intonimit nga ana e tifozëve të klubit.

“Hapje e procedurës disiplinore kundër Shkëndijës për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike gjatë gjithë ndeshjes (34 flakadanë të mëdhenj, 19 flakadanë të vegjël, 8 shpërthime të tipit ‘top’, 14 flakadanë të lëvizshëm).”

Hapje e procedurës disiplinore kundër KF Shkëndija për shkak të thirrjeve nacionaliste.

Hapje e procedurës disiplinore kundër KF Shkëndija për shkak të shfaqjes së flamujve me përmbajtje fyese dhe të palejuar, si dhe shfaqjes së një flamuri me përmbajtje naziste, për të cilën klubi tashmë ishte sanksionuar nga UEFA.

Hapje e procedurës disiplinore kundër KF Shkëndija për shkak të thirrjeve me përmbajtje fyese ndaj FFM-së.

Hapje e procedurës disiplinore kundër KF Shkëndija për shkak të refuzimit për të pranuar medaljet, si dhe për sjellje të papërshtatshme dhe degraduese nga ana e futbollistëve dhe zyrtarëve të klubit gjatë ceremonisë pas përfundimit të ndeshjes.

Hapje e procedurës disiplinore kundër KF Sileks për shkak të thirrjeve nacionaliste dhe përdorimit të mjeteve piroteknike.

Federata e Futbollit e Maqedonisë shpreh shqetësim serioz dhe zhgënjim nga sjellja e një pjese të aktorëve të ndeshjes, veçanërisht nga veprimet e drejtuesve të KF Shkëndija dhe futbollistëve, të cilat drejtpërdrejt dëmtojnë imazhin e futbollit dhe dinjitetin e një finaleje që duhet të jetë festë e sportit.

Federata e Futbollit e Maqedonisë ka bërë përpjekje maksimale organizative që ndeshja të zhvillohet në atmosferë të ndershme, sportive dhe dinjitoze, me standarde të larta sigurie dhe organizimi. Në vend të kësaj, publiku ishte dëshmitar i sjelljes së papërshtatshme dhe të papërgjegjshme, e cila nuk duhet të ketë vend në fushat e futbollit.

Është e papranueshme që strukturat drejtuese dhe individë, në vend që të kontribuojnë për qetësimin e tensioneve, të krijojnë atmosferë ndarjesh, provokimesh dhe kërkime të vazhdueshme për alibi për dështimet, paaftësinë dhe mosdijen e tyre.

Paratë dhe pasuria nuk nënkuptojnë zotërim të kulturës sportive dhe asaj të përgjithshme. Futbolli dhe sporti në tërësi kërkojnë respekt, përgjegjësi dhe lojë të ndershme, e jo provokime, fyerje dhe nxitje të sjelljes së papërshtatshme.

Komisioni konstatoi se me sjelljen e përfaqësuesve të KF Shkëndija është shprehur përçmim i drejtpërdrejtë ndaj Federatës së Futbollit të Maqedonisë si organizatore dhe bartëse e garës, përmes nënvlerësimit të protokollit zyrtar dhe institucionit që e organizon garën.

Njëkohësisht, me refuzimin për të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së medaljeve, u tregua mosrespektim edhe ndaj ekipit kundërshtar, pasi një sjellje e tillë përfaqëson në fakt mosnjohje të rezultatit dhe nënvlerësim të suksesit sportiv të arritur.

Leave a Reply