Abdulaziz Azizi ka shkruar historinë duke i sjellë Klubit të Mundjes, Shkupi, medaljen e parë evropiane në historinë e klubit, njëkohësisht duke realizuar edhe një sukses të madh për Maqedoninë e Veriut në Kampionatin Evropian U15.
Me paraqitje të shkëlqyera, luftë të madhe dhe përkushtim në çdo përballje, Abdulazizi arriti të ngjitet në podiumin evropian dhe të vendosë emrin e tij në historinë e klubit shkupjan.
Ai në Evropianin e zhvilluar në Samokov të Bullgarisë, u stolis me medalje të bronztë, njëjtë sikurse edhe mundësi tjetër i Maqedonisë, Lluka Ananiev.
Në finalen e vogël, Abdulaziz Azizi me rezultatin 10:0, apo më mirë thënë me “dush teknik” mundi rumunin Naxhi.
Azizi ishte impresiv edhe në luftën e tij të parë kundër armenit Skeneviç, duke e mundur me rezultatin 11:0. Pasoi lufta tjetër ndaj italianit Aversente. Edhe në këtë luftë, Azizi doli të jetë i shkëlqyeshëm, duke triumfuar me rezultatin 10:6, dhe duke arritur deri në gjysmëfinale, aty ku u mposht nga greku, Karalampos Topalov.
Pasi humbi mundësinë për të luftuar për medaljen e arit, Azizi i’a doli të triumfoj në luftën për vendin e tretë, aty ku doli të jetë shumë i suksesshëm dhe me një dush teknik të mund rumunin, Naxhi.
Ky rezultat është shpërblim për punën dhe sakrificën e tij ndër vite dhe një motiv i madh për gjeneratat e reja të mundësve në vendin tonë.
Pa dyshim, se për këtë sukses historik të Azizit, meritat e tyre i kanë edhe trajnerët e KM Shkupit, Jasin Rexhallari, Bunjamin Ebipi, Irfan Rexhallari dhe Ubejd Fuga, të cilët po bëjnë një punë të shkëlqyer me një ndër klubet më të reja të mundjes në kryeqendrën tonë. (infOSport.mk)


