FC Shkupi Academy vjen me një sukses të jashtëzakonshëm, 4 gjenerata do të luajnë në finale

FC Shkupi Academy po bën një punë të shkëlqyer, ndërsa këtë më së miri e pasqyrojnë edhe rezultatet që po i arrijnë djelmoshat bardheblu nga Çairi me rrethinë.

Akademia e FC Shkupit, skuadrës emblemë të shqiptarëve në kryeqendrën tonë, gjatë ditës së sotme arriti rezultatet të jashtëzakonshme, teksa 4 gjenerata të saj arritën të sigurojnë finalet.

Bëhet fjalë për gjeneratat 2007, 2013, 2017 dhe 2018, që kanë gjasa të mëdha që të shpallen kampion në nivel republikan. Një sukses i këtillë pa dyshim se ka lënë të kënaqur edhe Koordinatorin e FC Shkupi Academy, Ferdi Ismaili, i cili enkas për “infOSport.mk”, u shpreh: “Një sukses i jashtëzakonshëm do të kisha thënë, një sukses që na mban gjallë si skuadër, por edhe për të besuar se FC Shkupi është në binarët e duhur për tu mbështetur tek futbollistët e saj, tek forcat e saja, përmes të cilave do të tentojmë ringritjen e ekipit të parë sa më shpejtë, duke e ndihmuar me talente të reja, me futbollistë cilësor, që realisht i kemi në rradhët tona”.

FC Shkupi gjenerata 2013 e udhëhequr nga trajneri Halim Bilalli në gjysmëfinale mundi ekipin e FC Park, ndërsa në finalen e madhe kjo skuadër do të përballet me KF Albarsën.

Gjenerata 2017 e udhëhequr nga Minas Osmani, në finalen e madhe do të luaj kundër ekipit të Azuri, pasi në gjysmëfinale ishin më të mirë se FK Aerodrom, ndërsa të besuarit e trajnerit Jeton Musliu, gjenerata 2018 në finalen e madhe do të masin forcat me ekipin e Negotinës. Kjo gjeneratë në gjysmëfinale kishte eliminuar rivalin e përjetshëm, Vardarin.

Që të tre këto gjenerata, 2013, 2017 dhe 2018 finalet e tyre do ti zhvillojnë nesër, ndërsa vlen të theksohet se me datë 04 qershor në finale do të luaj gjithashtu edhe gjenerata 2007 e FC Shkupit, që udhëhiqet nga trajneri Alisa Vishi. (infOSport.mk)

Leave a Reply