Festa kuqezi në Haraçinë dhe në kryeqendrën tonë të Shkupit vazhdon ende, kjo pasi Shkëndija e Haraçinës, gjenerata e re bëri senzacion, duke eliminuar Pelisterin e famshëm në ndeshjen e balotazhit për inkuadrim në Ligën e Parë.
Ndoshta shumica e futbolldashësve në vendin tonë nuk e kishin besuar një gjë të tillë, mirëpo ja që ndodhi, ndërsa Shkëndija e Haraçinës dëshmoi se me punë, sakrificë, përkushtim dhe besim të palëkundur, gjithçka është e mundur.
Këtë mendim ndanë edhe një ndër më të mirët në rradhët e Shkëndijës së Haraçinës, Fkiret Livareka, që shënoi një nga golat në ruletin e penaltive, duke u bërë pjesë e historisë “kuqezi”.
“Dita e diel ishte një ditë e veçantë, një ditë që do të mbetet gjatë në zemrat e të gjithë atyre që jetojnë dhe marrin frymë me ngjyrat e KF Shkëndija Haraçinë. Inkuadrimi në Ligën e Parë nuk është thjesht një sukses sportiv, por një histori e shkruar me mund, sakrificë, përkushtim dhe besim të palëkundur. Pas çdo stërvitjeje, pas çdo ndeshjeje, pas çdo vështirësie dhe sfide, qëndron puna e madhe e lojtarëve, trajnerëve, drejtuesve dhe mbi të gjitha mbështetja e jashtëzakonshme e tifozëve që nuk u ndanë asnjëherë nga ekipi.” – u shpreh mes emocioneve Fikret Livareka, duke shtuar: “Urime nga zemra për këtë arritje të madhe! Kjo fitore është shpërblimi i çdo pike djerse të derdhur në fushë dhe i çdo emocioni të përjetuar gjatë këtij rrugëtimi. Sot fitoi puna, fitoi besimi dhe fitoi zemra e madhe e këtij klubi. Ju treguat se me unitet, përkushtim dhe shpirt luftarak asgjë nuk është e pamundur.”
Fikret Livareka në sezonin e rregullt në Ligën e Dytë, me 14 golat e shënuar rezultoi të jetë golashënuesi më i mirë i Shkëndijës së Haraçinës, që edicionin 2026/27 për herë të parë do të luaj në elitën e futbollit vendor, duke i dhënë fund pritjes gati 50-vjeçare. (infOSport.mk)
