FFM dhe UEFA kanë filluar procesin e zhvillimit të një strategjie të re 5-vjeçare!

Federata e Futbollit e Maqedonisë, në bashkëpunim me UEFA-n, filloi procesin e zhvillimit të një strategjie të re për zhvillimin e futbollit në vendin tonw në fillim të këtij viti.

Si pjesë e procesit, u zhvillua një takim pune midis Presidentit të FFM-së, Masar Omeragiç, dhe përfaqësuesit e FFM-së të përfshirë në përgatitjen e strategjisë së re, me përfaqësuesit e UEFA-s – Ilija Kitiq, Oleksandr Kuçerjavi, si dhe mentorët Adam Uoker dhe Markus MekDonald.

Takimi iu kushtua prezantimit dhe analizës së situatës aktuale në Federatë, me theks të veçantë në stabilitetin financiar të FFM-së.

Analiza e të ardhurave dhe shpenzimeve tregoi se është e nevojshme që FFM të vazhdojë me një politikë të rreptë të shpenzimeve dhe kursimeve racionale, përmes uljes së mëtejme të kostove joproduktive dhe jo-futbollistike.

Edhe pse shkurtime të konsiderueshme janë bërë tashmë në segmente të caktuara në periudhën e kaluar, për qëndrueshmëri financiare afatgjate kërkohet një disiplinë edhe më e madhe në menaxhimin e aseteve.

Rekomandimet janë që çdo shpenzim që nuk kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e futbollit duhet t’i nënshtrohet rishikimit dhe racionalizimit.

Si bazë për strategjinë e re, FFM ka përfunduar procesin e caktimit të hartave të reja të infrastrukturës dhe fushave të futbollit në të gjithë vendin.

Për herë të parë, vendimet strategjike do të merren në bazë të të dhënave konkrete, përmes analizës së hartave, treguesve demografikë dhe informacioneve të tjera relevante. Kjo qasje do të lejojë që investimet dhe aktivitetet zhvillimore të drejtohen aty ku ekziston vërtet nevoja dhe potenciali më i madh.

Procesi i krijimit të strategjisë përfshin të gjithë palët kryesore të interesuara në futbollin në Maqedoni, klubet profesionale, përfaqësuesit e futbollit bazë, trajnerët, arbitrët, zyrtarët, lojtarët, tifozët dhe partnerët.

Përmes pikëpamjeve, ideve dhe përvojave të tyre, FFM do të ndërtojë një vizion të përbashkët dhe qëllime strategjike të përcaktuara qartë drejt të cilave të gjithë do të ecim së bashku në pesë vitet e ardhshme.

Në këtë proces, FFM ka mbështetjen e plotë të UEFA-s, e cila nëpërmjet ekspertizës dhe metodologjisë së saj ofron një qasje të përshtatur për nevojat dhe sfidat specifike të futbollit maqedonas.

Në të njëjtën kohë, Federata fiton qasje në praktikat dhe përvojat më të mira evropiane, të cilat do të mundësojnë që strategjia e re të jetë realiste, e qëndrueshme dhe ambicioze, me një qëllim të qartë për ta çuar futbollin në Maqedoni në nivelin tjetër të zhvillimit.

Leave a Reply