Voska Sport vazhdon të punoj në rindërtimin e skuadrës për në Ligën e Parë, teksa sot edhe zyrtarisht ka prezantuar malazezin, Nikolla Stijepoviç. Bëhet fjalë për një futbollistë 29-vjeçar, i cili luan në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa me Voska Sport ka firmosur kontratë dy vjeçare.
“infOSport.mk” transferimin e malazezit e kishte paralajmëruar që 4 ditë më parë, ndërsa sot erdhi konfirmimi edhe nga ana e drejtuesve të skuadrës shqiptare nga Ohri, që deri më tani zyrtarisht ka prezantuar Fatih Ismailin, ish futbollistin e FC Shkupit dhe Rabotniçkit.
LEXO GJITHASHTU: Voska Sport shumë pranë transferimit të mbrojtësit malazez që peshon 5 trofe!
Stijepoviç te Voska Sport vjen nga rradhët e Sutjeska Nikshiç, ku edhe kishte filluar karrierën e tij profesionale. Pikërisht me këtë skuadër i njëjti regjistron edhe sukseset e tij më të mëdha, pasi ishte shpallur tre herë kampion, derisa edhe në dy raste tjera kishte fituar trofeun e Kupës së Malit të Zi.
Edicionin e kaluar, Stijepoviç me fanellën e Sutjeskas u paraqit në 33 ndeshje kampionale, nga gjithsej 36, ndërsa gjithashtu luajti edhe në 4 ndeshje europiane, eliminatoret e Ligës së Kampionëve dhe ato të Ligës së Konferencës.
Stijepoviç në elitën e futbollit malazez numëron plotë 223 ndeshje, ndërsa gjithashtu 17 paraqitje kishte bërë edhe me Kastriotin në Superligën shqiptare dhe 8 në elitën e futbollit gjeorgjian me Torpedo Kutaisi. (infOSport.mk)