Përgjaket sfida ballkanase AEK-Dinamo Zagreb, një tifoz grek ndërron jetë, policia arreston 98 persona (VIDEO)

Mbrëmjen e djeshme kanë ndodhur trazira të mëdha mes tifozëve të AEK dhe Dinamo Zagreb. Dy skuadrat ballkanase janë shortuar për të luajtur bashkë në kuadër të turit të tretë eliminatorë të Ligës së Kampionëve, mirëpo si duket sonte futboll nuk do të ketë, madje disa zëra thonë se UEFA mund të përjashtojë nga garat europiane skuadrën kroate të Dinamo Zagreb.

Para kësaj sfide, që është paraparë të zhvillohet sonte, tifozëritë e të dyja skuadrave janë përleshur mes tyre, ku si pasojë një tifoz grek vetëm 22-vjeçar ka ndërruar jetë.

Sipas mediave greke Gazzetta dhe Sport2 tifozi është goditur me thikë dhe pavarësisht ndërhyrjes së ambulancës dhe mjekëve nuk ia doli të jetonte.

Gjithashtu shumë të tjerë sipas policisë janë të plagosur dhe kanë marrë plagë  nga përplasjet mes tyre.

Një tjetër informacion që vjen nga Greqia, thotë se nga përleshjet mes këtyre tifozërive, ka mbetur e plagosur edhe një vajzë 12-vjeçare, e cila kishte qenë duke ndenjur në një nga kafet ku po qëndronin edhe disa nga tifozët e AEK, e që për një moment ishin sulmuar nga tifozët e Dinamo Zagreb. Kjo vogëlushe thuhet se është goditur me gurë në kokë, dhe se po merr trajtimin e duhur nga mjekët.

Lidhur me gjithë këto incidente, me kumtesë ka dalë edhe policia greke: “Lidhur me një incident të një përleshjeje mes tifozëve të AEK dhe Dinamos së Zagrebit, që rezultoi me plagosjen me vdekje të një personi dhe plagosjen e tetë të tjerëve, sqarohet: Mbrëmjen e djeshme, të hënën, 7 gusht 2023, një grup prej rreth 100-120 tifozësh të Dinamo Zagrebit, së bashku me tifozët grekë, ndodheshin në Perissos. Tifozët e AEK-ut ishin mbledhur në zonën e gjerë. Pasuan incidente mes tifozëve të dy skuadrave, të cilët hodhën flakadanë, improvizuan zjarrvënie, gjuajtën gurë, si dhe përdorën edhe shkopinj të improvizuar. Ngjarja ka ndodhur një orë e gjysmë pasi ekipi mysafir ka përfunduar stërvitjen dhe është larguar nga fusha, si dhe lojtarët të shoqëruar nga policia. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë ndaluar përleshjen, ndërsa me shpejtësi kanë bllokuar dhe arrestuar gjithsej 98 persona të përfshirë në ngjarje. Një hetim paraprak po kryhet nga Drejtoria e Sigurisë së Athinës, ndërsa hetimet për identifikimin e autorëve të tjerë dhe çdo aspekt tjetër të rastit vijojnë intensivisht”.

Leave a Reply