Ish-futbollisti i kombëtares gjermane, Andreas Beck, që aktualisht luan rolin e Drejtorit për Zhvillimin e futbollit elitar të të rinjëve në kuadër të UEFA-s, gjatë ditës së sotme qëndroi për vizitë në ambientet e Federatës së Futbollit tonë vendor, ku së bashku me shërbimet profesionale të FFM-së, analizoi projektet aktuale dhe planet e ardhshme në kuadër të programit të Futbollit Elitar të të Rinjve dhe akademisë së FFM-së.
Beck, i cili gjatë karrierës së tij futbollistike kishte luajtur edhe për kombëtaren gjermane, si dhe për skuadrat e njohura gjermane, si Shtutgart, Hofenhajm dhe Beshiktashin turk, për momentin është pjesë e sistemit të UEFA-s, përgjegjës për zhvillimin e akademive të të rinjve dhe futbollit elitar në nivel evropian.
Gjatë vizitës së tij në qendrën stërvitore Petar Miloshevski në Shkup, Beck monitoroi aktivitetet e ekipeve të të rinjve dhe akademisë së FFM-së, ku ndër të tjerash zhvilloi edhe disa takime me përfaqësues të federatës sonë në lidhje me mbështetjen e ardhshme përmes programit të UEFA-s.
“Në rajonin e Ballkanit, njerëzit bukvalisht lindin me top. Pa marrë parasysh, nëse bëhet fjalë për futboll, hendboll, apo edhe basketboll, mund të them se këtu ekziston një kulturë sportive e rrënjosur thellë. Por vetëm talenti nuk mjafton. Nevojitet strukturë, vazhdimësi, punë cilësore, gara dhe mjedis i duhur për zhvillim”, tha Beck.
Ai theksoi se Maqedonia ka qenë pjesë e programit pilot të UEFA-s për zhvillimin e futbollistëve të rinj që nga viti 2014 dhe se progresi është i dukshëm.
“Ajo që FFM po ndërton sot është një sistem i qartë dhe i strukturuar mirë për zhvillimin hap pas hapi. Projektet e Akademisë së FFM-së nën 15 vjeç dhe pilot projekti për futbollistët nën 14 vjeç lënë një përshtypje veçanërisht pozitive.” – tha më tej Beck.
Gjermani theksoi rëndësinë e procesit të vazhdueshëm të punës me lojtarët e rinj.
“Akademia e FFM-së (U-15) është një model hibrid i organizuar mirë që vepron nga e hëna në të premte dhe ofron stërvitje, vakte të përbashkëta, përvojë garuese dhe video analizë. Pilot projekti (U-14) është një model kampi që punon me lojtarë të zgjedhur jashtë Akademisë dhe i përgatit ata për përfshirje të plotë në sistem sezonin e ardhshëm.” – shtoi Beck.
Drejtori i kategorive të të rinjve në FFM, Gjorgji Hristov, theksoi se UEFA është plotësisht në dijeni të riorganizimit të Akademisë dhe planeve të reja të zhvillimit.
“Kemi bërë një reformë kyçe në Akademi. Nëse më parë projekti funksiononte për dy vjet, tani qëllimi është të vazhdojmë në kontinuitet deri në kualifikimet e para për atë brez futbollistësh. Arritëm në përfundimin se pikërisht në vitin vendimtar para kualifikimeve nuk i kishim lojtarët mjaftueshëm gjatë në sistem. Kjo është arsyeja pse duam të vazhdojmë me të njëjtin grup lojtarësh, pasi efekti pozitiv i 12 muajve të kaluar është i dukshëm”, – tha Hristov.
Ai njoftoi se nga sezoni i ardhshëm, për herë të parë, të dy akademitë do të përfshihen në Super Ligën për Kadet dhe Super Ligën për Pionier, ku futbollistët e rinj do të luajnë kundër brezave më të vjetër.
“Për shembull, Akademia me gjeneratën 2012 do të luajë ndeshje kundër gjeneratës 2011. Kjo është shumë e rëndësishme për zhvillimin e tyre. Edhe një herë, është konfirmuar se sa i rëndësishëm është procesi i vazhdueshëm i stërvitjes dhe sa e rëndësishme është që fëmijët të jenë në sistem sa më shumë të jetë e mundur. Nuk janë të mjaftueshme vetëm 15 ndeshje me ekipin përfaqësues. Duke marrë pjesë në garat e ligës, do të marrim shumë më tepër ndeshje dhe hapësirë shtesë për përparim.” – deklaroi Hristov.
Hristov shtoi se FFM do të vazhdojë të punojë në përmirësimin e kushteve për futbollistët e rinj nga brenda vendit, përmes akomodimit më të mirë, edukimit dhe një procesi modern stërvitor.
“Do të punohet sipas të njëjtit program dhe metodologjie, me metoda moderne të fitnesit dhe GPS metoda, me qëllim krijimin e një sistemi edhe më cilësor për zhvillimin e futbollistëve të rinj”, – theksoi drejtori i kategorive të të rinjve në FFM, Gjorgji Hristov.


