Shkëndija e Haraçinës sot shkroi historinë më të lavdishme të klubit, i themeluar në vitin 1977. Kjo skuadër për herë të parë në histori arriti të siguroj një vend për në Ligën e Parë, ndërsa kjo ka gëzuar tej mase edhe trajenrin e kësaj skuadre, Berat Imeri, i cili enkas për “infOSport.mk”, u shpreh: “Ndeshje e vështirë në aspektin psiqik. Jemi të lumtur që jemi pjesë e historisë, urime të gjithëve, është momenti ta shijojmë të gjithë së bashku. Meritat pa dyshim se shkojnë për lojtarët para së gjithash, për kryesinë e palodhshme që besoi deri në fund dhe kuptohet për tifozët tanë të mrrekullueshëm, ‘Çlirimtarët’, që edhe sot ishin lojtari ynë i 12-të, duke na dhënë një forcë shtesë, një forcë që besoj erdhi edhe nga lartë, nga i madhi ZOT, sidomos pas atij goli që pranuam vetëm në 30 sekonda para fundit. Besoj se e merituam këtë fitore”.
Është ky një sukses tjetër i jashtëzakonshëm për strategun nga Tetova, Berat Imeri, i cili dy vite më parë një gjë të tillë kishte bërë edhe me Voska Sport, duke e fituar atëherë luftën në Ligën e Dytë me Vardarin.
Imeri edhe njëherë tjetër tregoi karakter fituesi, duke e përgatitur skuadrën në mënyrën më të mirë edhe për ndeshjen e balotazhit kundër Pelisterit, një tjetër skuadër me emër në futbollin tonë vendor.
Imeri në bankinën e Shkëndijës së Haraçinës debutoi me 8 mars në ndeshjen kundër Golemo Konjari, në të cilën ndeshje skuadra e tij kishte regjistruar fitore 4:0. Vlen të theksohet se me Imerin në krye Shkëndija e Haraçinës në kampionat nuk pësoi asnjë disfatë, duke regjistruar 9 fitore dhe 3 barazime, ndërsa fitorja e sotme e balotazhit ishte qershia mbi tortë për të personalisht dhe për Shkëndijën, pasi kjo skuadër për herë të parë në historinë e saj 49 vjeçare do të luaj në elitën e futbollit vendor. (infOSport.mk)
