Një lëvizje mjaft interesante po përflitet në merkaton e verës për sulmin e Shkëndijës së Tetovës. Bomberi i Tiranës, Redon Xhixha, mund të jetë goditja e parë e kuqezinjve për sezonin 2026/27, raportojnë mediat në Shqipëri, përcjellë “infOSport.mk”.
27-vjeçari erdhi te “bardheblutë” në janar me një marrëveshje 6-mujore dhe këtë verë do të jetë një lojtar i lirë, pasi kontrata e tij me klubin kryeqytetas skadon zyrtarisht. Përgjatë këtij edicioni në Superligën shqiptare, Xhixha arriti të shënojë 5 gola dhe të dhurojë 3 asistime, ndërsa vlen të kujtohet se vetëm pak sezone më parë ai shpërtheu në kampionatin shqiptar duke realizuar plot 18 gola.
Sulmuesi, i cili numëron edhe 2 paraqitje me Kombëtaren Shqiptare, ka një eksperiencë të madhe edhe në ndeshjet kualifikuese të turneve europianë.
Kartoni i tij vlerësohet rreth 300 mijë euro në treg, por Shkëndija mund ta rrëmbejë me parametër zero. Burimet bëjnë me dije se bisedimet kanë avancuar ndjeshëm dhe palët ndodhen tashmë në fazat përfundimtare të marrëveshjes.
Kujtojmë, Xhixha ka bërë karrierë edhe në Azerbejxhan, duke qenë pjesë e skuadrës së madhe të Qarabag, me të cilën skuadër numëron 3 tituj kampion dhe një trofe të Kupës.
Gjatë karrierës së tij, Xhixha, gjithashtu ishte shpallur kampion edhe me KF Tiranën në sezonin 2021/22, ndërsa me të po të njëjtën skuadër në sezonin 2022/23 kishte fituar SuperKupën e Shqipërisë. (infOSport.mk)
