Shkëndija aktualisht është në kërkim të trajnerit të ri, pasi përfundoi bashkëpunimin me Jeton Beqirin. Informacione të besueshme pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se drejtuesit e Shkëndijës e kanë kontaktuar trajnerin aktual të Struga Trim Lum, Bledi Shkëmbi, që aktualisht ndodhet në vendlindjen e tij, duke shijuar pushimin.
Shkëmbi për këtë ka njoftuar edhe drejtuesit e Struga Trim Lum, me të cilën skuadër strategu korçar ka kontratë deri qershorin e vitit 2027, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
Tashmë fjalën kryesore e kanë drejtuesit e skuadrës strugane, të cilët me Shkëmbin kanë nisur një projekt më afatgjatë, ashtu që është shumë e vështirë për ta besuar një largim të mundshëm të korçarit në drejtim të skuadrës tetovare.
Një emër tjetër që lidhet ngushtë me bankinën e Shkëndijës së Tetovës, është edhe ai i Orges Shehit, që gjithashtu bën pjesë edhe në planet e FC Prishtinës.
Kur jemi te skuadra prishtinase, vlen të theksohet se këta të fundit e kanë kontaktuar futbollistin e Shkëndijës, Endrit Krasniqi, që pa dyshim se ishte një ndër më të mirët edicionin e fundit me fanellën “kuqezi”.
