Rinia fiton dhe ende për Superligë shpreson

Rinia ka shënuar edhe fitoren e 13-të në kampionatin e sivjetshëm në kuadër të Ligës së Parë të Hendbollit në vend, njofton “infOSport.mk”.

Të përzgjedhurit e trajnerit Muhamed Ismaili të dielën në mbrëmje në teren vendas mundën GRK Tikveshin nga Kavadari me rezultatin 27:22, duke mbajtur në këtë mënyrë gjallë shpresat për kualfikim, edhe pse duhet ndodhur e papritura që KH Rinia të kualifikohet për në Superligë.

Kur kanë mbetur vetëm edhe dy xhiro deri në mbyllje të kampionatit të rregullt Rinia me 40 pikë vazhdon të qëndrojë në pozitën e tretë, duke ndjekur ekipin e Vardar 2 në pozitën e dytë me 5 pikë më shumë.

Këta të fundit barazuan në transfertën ndaj Prespës me rezultatin 21:21, ndërsa në ndeshjen e javës së parafundit do të luajnë ndaj ekipit të Spartakut, që më pas në javën e fundit të takohen me Rininë në palestrën “Enver Idrizi” në Çair.

Kjo ndeshje mund të jetë vendimtare për pozitën e dytë, mirëpo vetëm në rast se Vardar 2 do të barazonte, ose do të pësonte disfatë ndaj Spartakut, në të kundërtën Rinia do të duhej të kënaqej me pozitën e tretë në tabelë.

Ndryshe më i merituar për fitoren e Rinisë në përballjen ndaj GRK Tikvesh, ishte Filipi Angjellkoviç me 12 gola të realizuar, ndërsa Adis Saliu në këtë ndeshje u ndal në shifrën e 4 golave të shënuar. Në anën tjetër te mysafirët nga Kavadari më i spikaturi ishte Grozdanov me 8 gola të realizuar, ndërsa nuk mungoi edhe ndihma e Velkov që regjistroi 6 gola të tjerë.

Rinia javën që vjen do të jetë mysafir i Makedonija Gjorçe Petrovit.

Leave a Reply