Edhe Lila i dëmtuar, Panuçi në shumë halle

Listës së gjatë të dëmtimeve në kombëtaren shqiptare për dy ndeshjet e tetorit kundër gjigandëve të Spanjës dhe Italisë së fundmi i’u është shtuar edhe Andi Lila.

Një lajm i këtillë shqetëson trajnerin Kristian Panuçin, duke pasur parasysh edhe dëmtimet apo pezullimet e disa prej lojtarëve tjerë kyç të Kombëtares, siç janë Mavraj, Kukeli, Roshi (të pezulluar), Abrashi dhe Balaj (të dëmtuar).

Ndërkaq, Agolli me Gjimshitin janë në fazë riaftësimi pas dëmtimeve që kanë pësuar dhe kësaj liste të gjatë mund t’i shtohet nga dita e sotme edhe mesfushori Andi Lila.

Lila është dëmtuar në ndeshjen e kampionatit grek mes PAOK-ut dhe Pas Janinës. Futbollisti shqiptar kërkoi ndërrim në minutën e 43-të të ndeshjes kur po luante titullar, duke lënë në mes takimin që u mbyll me fitoren 1-0 të PAOK, ku mungonte Ergys Kaçe.

Nuk është mësuar ende nëse ky problem do ta detyrojë të mungojë për një kohë të gjatë dhe të humbasë ndeshjet e përfaqësueses apo nëse ai do të riaftësohet në kohë për fillimin e grumbullimit më 2 tetor, atëherë kur Panuçi do të mbledh skuadrën për ndeshjet e 06 tetorit kundër Spanjës në transfertë dhe Italisë në teren vendas.

Leave a Reply