Emini: Respekte për A. Pandev, por në Tetovë kthehemi me 3 pikë

Në mesjavë në program janë ndeshjet e javës së 12-të në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”. Një ndër ndeshjet më interesante pa dyshim se është ajo në Strumicë midis Akademia Pandev dhe Shkëndijës. “

Kuqezinjtë” nga Tetova të dielën u rikthyen te fitorja duke mundur FC Shkupin, ndërsa besojnë se serinë e rifilluar do ta vazhdojnë edhe pas ndeshjes në Strumicë. Kështu mendon edhe Izair Emini, i cili përkundër respektit që ka ndaj Akademia Pandev thotë se tre pikëshi do tu takojë atyre.

“E dimë se Akademia Pandev ka ekip të mirë dhe ne kemi respekt për rezultatet që kanë shënuar në pjesën e deritashme të sezonit. Ne jemi në formën e duhur dhe në Strumicë shkojmë për të marrë pikë të plota nga ky takim. Shpresoj t’ia arrijmë qëllimit. Jemi grup i mirë dhe mendoj se do i’a dalim të bëjmë detyrën edhe në këtë transfertë. Pa marrë parasysh se respektojmë ekipin e Akademia Pandevit, mendoj se do të bëjmë punën tonë dhe në Tetovë do të kthehemi me fitore”, – tha enkas për “infOSport.mk” sulmuesi tetovar, Izair Emini.

Ky i fundit ka 5 ndeshje që nuk ka shënuar gol, ndërsa beson se një gjë të tillë do të bëjë në këtë transfertë të vështirë të skuadrës së tij. Rikujtojmë Emini gjatë kësaj vere u rikthye te Shkëndija nga rradhët e Kukësit, me të cilën skuadër hasi në probleme rreth dokumentacionit të plotë, transmeton “infOSport.mk”.

Ai debutoi vetëm në ndeshjen e javës së katërt kundër Pobedës, kur edhe shënoi gol, ndërsa ndeshja e nesërme do të jetë e para përballë Akademia Pandev, duke pasur parasysh se nuk kishte të drejtë loje në atë ndeshje të 27 gushtit, kur Shkëndija shënoi fitore me rezultatin 2:1.

Leave a Reply