Shqipëria cakton miqësoren e parë për vitin 2018

Kombëtarja shqiptare ka caktuar edhe miqësoren e parë për vitin 2018-të. Do të jetë Irani, përfaqësuesja që do të përballet me kombëtaren e Kristian Panuçit, ndërsa deri te një marrëveshje e tillë erdhi në takimin e sotëm në Teheran mes krerëve të të dy Federatave të Futbollit.

Përveç kësaj të dyja federatat arritën marrëveshje për organizimin e turneve miqësorë, shkëmbim të lektorëve mbi kurset e edukimit të trajnerëve.

Po kështu, edhe në fushën e arbitrimit, marëveshja parashikon shkëmbim të arbitrave mes dy federatave, apo lektorëve të arbitrave, si dhe trajnime të stafeve të niveleve të ndryshme. Për faqen zyrtare të FSHF-së, pas kësaj marëveshjeje, Presidenti Armand Duka citoi: “Jam i kënaqur në këtë vizitë zyrtare në Federatën e Iranit, por mbi të gjitha, për arritjen e një marëveshjeje bashkëpunimi në shumë fusha mes FSHF-së dhe Federatës së Iranit. Duke shprehur angazhimin maksimal timin dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, së bashku me homologun tim, z.Taj dhe vetë Federatën iraniane do të nisim një bashkëpunim të ngushtë, që me ndeshjet miqësore me ekipet kombëtare dhe deri te shkëmbimi i eksperiencave, mes dy institucioneve në nivele të ndryshme. Shkëmbim shumë pozitiv eksperiencash që do të vlejë maksimalisht për futbollin e të dy vendeve”.

Ndërkohë pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, presidenti i Federatës Iraniane, Mehdi Taj, tregoi edhe për interesimin rreth këtij shkëmbimi eksperiencash.

“Shqipëria ishte në një grup me Spanjën në kualifikueset e Botërorit dhe ka luajtur edhe kundër Portugalisë, duke e mundur një herë. Kjo është diçka e mirë, të cilën ne mund ta shfrytëzojmë”, tha Taj, duke bërë të qartë se do të kishte shkëmbim të informacioneve teknike e taktike që dispononin dy federatat sa u përkiste përgatitjeve për duelet në fjalë.

“Një miqësore me Shqipërinë është e parashikuar në kontratën që nënshkruam. Por ajo mund të zhvillohet në një shtet tjetër”, tha Taj për mediat e vendit të tij duke shpjeguar se kishte njohuri të mjaftueshme për futbollin shqiptar.

Leave a Reply