Çelzi bënë detyrën dhe barazohet me Junajtedin (VIDEO)

Çelzi është rikthyer te fitorja. Pas disfatës në fundjavë ndaj Uest Hamit, sonte “blutë” e Londrës bënë detyrën e tyre në transfertën ndaj Hadersfild, duke shënuar fitore me rezultatin 1:3, njofton “infOSport.mk”.

Të besuarit e trajnerit Antonio Konte fitoren e siguruan që në pjesën e parë, kur edhe bënë diferencën.

Bakajoko në minutën e 23-të hapi serinë e golave, teksa 20 minuta më pas edhe braziliani Vilian u regjistrua në listën e golashënuesve, duke sjellë një siguri për ekipin mysafir.

Pas 5 minutave lojë në pjesën e dytë spanjolli Pedro shënoi edhe golin e tretë për Çelzin, teksa golin e nderit për vendasit e Hadersfild e realizoi Depoitre në minutat shtesë të takimit.

Falë kësaj fitore Çelzi arriti që të barazohet me pikë me Mançester Junajtedin në pozitën e dytë, të dyja skuadrat kanë nga 35 pikë, teksa Hadersfild me 18 pikë renditet në pozitën e 12-të.

Xherdan Shaqiri me Stouk Sitin e tij u mundën minimalisht 1:0 në transfertën ndaj Bërnlit, për të cilët golin e vetëm e realizoi Bërns një minutë para fundit të takimit, ndërkohë Kristal Palas me një përmbysje të çmendur mundi Uatfordin me rezultatin 2:1, transmeton “infOSport.mk”.

Vendasit ishin në disavantazh 0:1 deri në minutën e 89-të, kur përmes Sakos barazuan shifrat në 1:1, ndërkohë golin e fitores për Kristal Palas e realizoi McArthur në minutën e 92-të. Për ekipin e Uatford golin e  vetëm dhe të parin të këtij takimi e kishte realizuar Janmat që në minutën e tretë.

Me këtë fitore Kristal Palas zë vendin e 17-të në Premierligë me 14 pikë të tubuara, ndërkohë Uatfordi me 22 pikë të grumbulluara pas 17 xhirove renditet në pozitën e 9-të.

Leave a Reply