Zyrtare, ndeshja e Kupës midis Shkupit dhe Vardarit nuk zhvillohet në Çair

Ndeshja e kthimit të 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë midis Shkupit dhe Vardarit nuk do të zhvillohet në stadiumin e Çairit, njofton “infOSport.mk”.

Kështu kanë vendosur zyrtarët e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, pas inspektimit të sotshëm që i bënë fushës së stadiumit të FC Shkupit.

Sipas tyre stadiumi i Çairit nuk përmbush kushtet për zhvillimin e ndeshjes midis FC Shkupit dhe Vardarit, ashtu që e njëjta do të zhvillohet në stadiumin e Gjorçe Petrovit, aty ku ishte zhvilluar edhe ndeshja e parë mes këtyre dy rivalëve.

“Në një situatë të këtillë, ku nuk na është mundësuar që të bëjmë zgjedhje tjetër, për shkak të mos eliminohemi nga garat e Kupës së Maqedonisë, obligohemi që këtë ndeshje ta luajmë në stadiumin e Gjorçe Petrovit” – shkruhet në faqen zyrtare të FC Shkupit, të cilët në këtë mënyrë akuzojnë drejtëpërdrejtë FFM-në se për disa ekipe po luan rolin e “nënës”, e për disa të tjera atë të “njerkës”.

Rikujtojmë ndeshja e parë e 1/8 së finales midis Vardarit dhe FC Shkupit, ku Vardari si nikoqir kishte luajtur po në stadiumin e Gjorçe Petrovit, ishte mbyllur me barazimin 1:1.

Ndeshja e dytë mes këtyre dy njohësve të vjetër në program është të dielën (17.12) me fillim në orën 13:00.

 

Leave a Reply