Flamurtari i Vlorës e ka seriozisht në transferimin e reprezentuesit të Kombëtares shqiptare, Ledian Memushaj. Një gjë të tillë për të përditshmen sportive në Shqipëri, “Panorama-Sport” e ka bërë të ditur edhe administratori kryesor i vlonjatëve, Sinan Idrizi.
“Dëshira jonë është që në janar të marrim Ledian Memushajn te Flamurtari. Ne jemi në garë me dy ekipe të Serisë A dhe Serisë B, që kanë bërë ofertë për të. Flamurtari ka një ofertë në tavolinë dhe do ja japim së shpejti. Ne duam që të marrim lojtarë të vërtetë vlonjat. Ky ekip nuk ndalet më”, – ka thënë Idrizi në një prononcim të bërë sot për të përditshmen “Panorama Sport”.
Edhe pse ende nuk ka nisur zyrtarisht merkatoja e janarit, Flamurtari që tani ka siguruar shërbimet e dy futbollistëve mjaft cilësor, të cilët janë shumë të njohur për futbollin tonë vendor. Fjala është për ish futbollistin e Rabotniçkit, Muarem Muarem dhe ish sulmuesin e Silekist, Igor Nedeljkoviç.
Ndërkohë rikujtojmë pjesë e kësaj skuadre që nga vera e këtij viti janë edhe tre ish futbollistët e Shkëndijës, Artim Pollozhani, Muhamed Useini, Viktor Nildo Xhufo si dhe ish futbollisti i Rabotniçkit, Goran Siljanovski.