Menaxheri Rexhepi aktiv në merkaton dimërore

Nëse pauzat e kampionateve për futbollistët janë mundësi për të pushuar, e kundërta ndodh me ata që punojnë në transferimin e futbollistëve që në këtë periudhë janë në kulmin e aktiviteteve.

Për menaxherin Nafo Rexhepi ndoshta rastësisht, por kjo merkato ka rezultuar disi e lidhur me Vllazninë e Shkodrës në një “trafik dykahësh”. Fillimisht “rëmbeu” mesfushorin shkodran Edon Hasanin, duke e transferuar prej Vllaznisë te Sepahani në Iran, ndërsa nuk vonoi shumë kur ktheu shërbimin duke u “servuar” shkodranëve mbrojtësin Sedat Berisha.

“Të them të drejtën ka ndodhur rastësisht kjo që potenconi ju dhe realisht as që e kisha menduar. Por futbolli është i këtillë dhe i paparashikueshëm për atë se çka mund të sjell e nesërmja. Kur të shohim lëvizjet, vërtet rezulton se kjo merkato më ka lidhur me Vllazninë dhe ajo që unë mund të them është se jam i lumtur që dal faqebardhë dhe në dy rastet kam kryer shërbim dhe ndërmjetësim nga i cili të kënaqura kanë mbetur të gjitha palët”, thotë për InfoSport menaxheri, Nafo Rexhepi. “Edon Hasani është gjendur shumë mirë në Iran she te Sepahani të gjithë kanë mendim pozitiv për të. Lojtar cilësor që pres të ritet edhe më shumë dhe të lë shenjë të skuadra e tij e re. E njejta vlen për Sedat Berishën, mbrojtës i dëshmuar në skuadra cilësore. Ka patur edhe opsione tjera, por unë besoj se nuk gaboi që zgjodhi Vllazninë ku me nivelin që ka mund të ndihmojë shumë”, thotë me bindje Rexhepi që shprehet i hapur për bashkëpunim edhe me lojtarë tjerë cilësorë.

“Unë jam i hapur për secilin që ka kualitet dhe meriton të jetë më lartë. Normal me mundësitë që kemi mundohemi të shfrytëzojmë lidhjet tona për të ndihmuar të rinjtë të avansohen dhe të ecin përpara. Jam i vetëdishëm se transferimet e fundit të Hasanit dhe Berishës janë reklamë e mirë për ne dhe shpresoj të vazhdojmë në të ardhmen edhe me lëvizje tjera”, përfundoi Nafo Rexhepi.

Leave a Reply