Strakosha edhe përkundër disfatës vlerësohet me notë të lartë nga mediat italiane

Thomas Strakosha kishte filluar karrierën e tij me Lacion pikërisht me një ndeshje ndaj Milanit, me të cilën skuadër ai u përballë edhe mbrëmë, kësaj rradhe në një ndeshje gjysmëfinale të Kupës. Tashmë një vit e gjysmë më vonë, ai tregoi se është kthyer në një nga emrat e mëdhenj të futbollit italian.

Portieri shqiptar ishte gjithmonë i sigurt përballë një prej skuadrave më në formë në Itali dhe në fund të ndeshjes priti dy penallti, por që në fund nuk mjaftuan që Lacio të kualifikohej për në finalen e madhe.

Megjithatë paraqitja e gardianit shqiptarë nuk ka mundur pa u vënë re nga mediat italiane dhe jo vetëm, të cilat i kanë thurur elozhe pa fund Strakoshës.

“Corriere Dello Sport” e ka vlerësuar atë me notën 7,5, ndërsa “Gazzetta Dello Sport” me notën 7, duke bërë që ai të ishte lojtari më i vlerësuar në radhët e Lacios për paraqitjen që kishte bërë në fushë në ndeshjen e mbrëmshme në “Oolimpiko”.

Ndërkohë, “Eurosport” e cilëson të pafat futbollistin shqiptar, të cilin e ka vlerësuar me notën 7,5. “Dy penalltitë e pritura i shtohen disa ndërhyrjeve të mira ndaj Suso, Çalhanoglu dhe Kalabria. Për fatin e tij të keq, gjithçka është e kotë”, shkruan portali i rrjetit të njohur televiziv.

Lacio dhe Milani mbrëmë zhvilluan një ndeshje të fortë, e cila edhe pas 120 minutave lojë u mbyll me barazim pa gola, ashtu siç ishte mbyllur 90 minutëshi i parë në “’San Siro”. Kësisoj ishte ruleti i penaltive që vendosi se cila prej skuadrave do të përballet me Juven në finalen e madhe, ku më të suksesshëm dolën të jenë futbollistët “kuqezinj” që në fund triumfuan me rezultatin 5:4, edhe përkundër faktit se Strakosha kishte pritur dy penaltitë e para të ekzekutuara nga ana e Rodrigez dhe Montolivo.

Leave a Reply