Trajneri Rexhepi merrë pergjegjësinë për disfaten ndaj Teteksit

Vëllazërimi i Kërçovës të shtunën në transfertën në Tetovë u mund nga Teteksi me rezultatin e thellë 3:0, njofton “infOSport.mk”. Shumica nuk kishin pritur një rezultat të tillë, për më tepër edhe vetë trajneri Xhengis Rexhepi, i cili morri përgjegjësinë e kësaj disfate, duke pohuar njëkohësisht se kjo disfatë nuk i largon ata nga rruga për tu renditur në fund të kampionatit në dy pozitat e para.

“Gjatë kampionatit ndodhin humbje të tilla, përgjegjësia e humbjes më takon mua si trajner përgjegjës i ekipit. Futbollistët ndaj Teteks-it ishin largë perfomancës së duhur, gjithë ekipi kishte fytyrën e njejtë. Edhe përshkak mungesës së shumë futbollistëve cilësorë, edhe përshkak mungesës time në 10 ditët e fundit për shkak angazhimit tim me Reprezentacionin e Maqedonisë. Mirëpo edhe përkundër kësaj, performanca e ekipit nuk mund të jetë në atë nivel. Kishin rastin disa rezervistë të tregojnë vlerat e tyre, por paraqitja e tyre ishte shumë e zbehët. Në formacion është normale që do ketë ndryshime, nuk do ngel i njëjti, ndërsa nëse performanca e disa futbollistëve do jetë e njejtë, ata do të largohen nga klubi” – shprehet trajneri Rexhepi, i cili thotë se Vëllazërimit për momentin i duhen futbollistë të profilit “Burrë”, të cilët dinë të marrin përgjegjësinë mbi supet e veta, edhe në momentet më të vështira të skuadrës.

“Klubit në këto momente i nevojiten futbollistë te profilit BURRË, të cilët në momente më të vështira do të marrin PËRGJEGJËSİ. Edhe përkundër humbjes ndaj Teteks-it, neve pa asnjë pikëpyetje do udhëtojmë drejt synimit të klubit, nga java e ardhëshme ekipi do marrë fytyrën e vërtete, futbollistët më njohin mirë dhe e dinë çka i pret për në të ardhmen. Na kanë ngelur 9-të ndeshje dhe që të gjitha finale. Kemi kualitet deri ne fund të luftojmë për dy vendet e para, ku vendi parë na dërgonë direkt, kurse vendi i dytë nëpërmjet balotazhit na inkuadron në Ligë të Parë” – përfundon deklaratën e tij trajnerit tetovar, Xhengis Rexhepi, i cili njëkohësisht luan edhe rolin e ndihmës seleksionuesit të Igor Angellovskit te përfaqësuesja e Maqedonisë.

Vëllazërimi pas disfatës ndaj Teteksit, përveç që humbi pozitën e parë, humbi edhe të dytën, dhe tashmë me 31 pikë, 3 më pak se Gostivari dhe një më pak se Makedonija Gjorçe Petrovi ndodhet në pozitën e tretë, duke lënë pas vetes Struga Trim Lum që ka 30 pikë.

Ndeshjen e rradhës, atë të javës së 19-të Vëllazërimi do ta zhvillojë si vendas përballë Lokomotivës.

Leave a Reply