Alimi: Ndaj Sherif Tiraspolit të tregojmë se vërtetë vlejmë

Skuadra kampione e Maqedonisë, Shkëndija, të martën në mbrëmje do të futet me epërsi minimale 1:0 në transfertën me Sherif Tiraspolin e Moldavisë, në betejën e dytë që do të përcakojë fituesin e këtij dueli të vlefshëm për kalim në turin e tretë të eliminatoreve të Ligës më prestigjioze europiane, Ligës së Kampionëve.

Pak para seancës stërvitore në stadiumin ku do të luhet ndeshja, trajneri Qatip Osmani dhe kapiteni Armend Alimi kanë folur para mediave moldave në konferencën zyrtare për shtyp. Kapiteni i “kuqezinjëve” tha se bashkë me shokët e skuadrës kanë mundësinë për të treguar vlerat e tyre të vërteta, duke kërkuar nga ata që të japin maksimumin, pasi vetëm në atë mënyrë mund të shpresojnë në kualifikim të mëtejshëm.

“Kemi ardhur këtu për të treguar vlerat tona dhe e vetmja që mendojmë është të japim maksimumin. Është mirë që hyjmë me epërsi, por asesi nuk pretendojmë se kjo është e mjaftueshme. Ne kemi përvojë që na tregon se ndonjëherë nuk mjafton edhe epërsi shumë më e madhe se 1:0, prandaj secili prej futbollistëve në kokë ka të fiksuar se kjo betejë fitohet vetëm me qasje serioze, me dhënien e maksimumit në terren, koncentrim 100% gjatë gjithë lojës, minimizim të gabimeve dhe shfrytëzim të rasteve para portës kundërshtare”, – deklaroi kapiteni Armend Alimi.

Kuqezinjtë sonte nga ora 19:00 sipas kohës sonë lokale zhvilluan seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Sherif Main Arena” ku të martën po të njëjtën orë do të zhvillojnë ndeshjen e kthimit të raundit të dytë eliminatorë kundër Sherif Tiraspolit. Fituesin nga kjo përballje në raundin e tretë e pret skuadra gjigande austriake e Salzburgut, që vitin e kaluar arriti të luaj në gjysmëfinalet e Liga Europa.

Leave a Reply