Ujkani: Të bëjmë gjithë popullin e Kosovës krenar

Kapiteni i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Samir Ujkani me shumë optimizëm pret përballjen e nesërme ndaj Ishujve Faroe në kuadër të Ligës së Kombeve, ndeshje kjo që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ai në konferencën për shtyp të organizuar për gazetarë tha se atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe se të gjithë futbollistët presin me padurim  që të luajnë për herë të parë një ndeshje zyrtare në stadiumin që e mban emrin e legjendës, Fadil Vokrri. Ai ka premtuar se i gjithë ekipi do ta japë maksimumin për ta bërë popullin e Kosovës krenar.

“Presioni është i madh për të marrë fitoren, jemi përgatitur shumë në këtë ndeshje të parë në “Fadil Vokrri”. Kemi dy vite që presim për të luajtur në stadiumin tonë. Duhet të nderojmë emrin e ish-presidentit “Fadil Vokrri”, është shprehur Ujkani.

Kosova ka fituar në miqësore me Ishujt Faroe para dy vitesh, por situata sipas Ujkanit, është krejt ndryshe.

“Atmosfera është shumë e mirë brenda grupit. Jemi djem të mirë dhe e duam Kosovën. Jemi si vëllezër. Kemi fituar me Ishujt Faroe në miqësoren e parë ndërkombëtare pas njohjes nga FIFA, tani është krejt tjetër, sepse luhet për pikë. Ne do të japim maksimumin për të gëzuar popullin tonë”, ka vijuar portieri i Kosovës.

Shitja e të gjitha biletave tregon interesimin e madh të publikut në Kosovë. Kapiteni Ujkani shprehet se ky fakt duhet të shërbejë si një motiv më shumë për të marrë 3 pikët.

“Interesimi në Kosovë për futbollin dhe veçanërisht për përfaqësuesen është shumë i madh. E kemi problem për të gjetur bileta për familjarët tanë. Gjithsesi ky interesim më bën të lumtur dhe na motivon më shumë për të fituar. Do të kërkojmë të japim maksimumin për të bërë të lumtur tifozët”, ka shtuar Ujkani.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Ishujve Faroe nesër mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” do të startojë në ora 20:45.

Leave a Reply