Vardari – Fc Shkupi, statistika dhe kuriozitete që duhet ti dini

Vardari dhe FC Shkupi sot në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari do të zhvillojnë një nga ndeshjet më interesante të javës së 5-të në LPFM. Rivaliteti mes këtyre dy skuadrave është shumë i madh, ndërsa daton që nga vitet e 90-ta. Përveç rivalitetit mes skuadrave, një rivalitet i madh vërehet edhe mes tifozërive të të dyja skuadrave, Komitët dhe Shvercerat nga Çairi. Këta të fundit gjatë ditës së sotme nuk lejohen që të jenë pjesë e takimit, pasi i njëjti është shpallur i rrezikut të lartë nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ashtu që përkrahja nga ana e tifozëve do të jetë një minus i madh për skuadrën e FC Shkupit.

TË REJAT E FUNDIT NGA KËTO DY SKUADRA

Vardari në letër është favorit, mirëpo kriza financiare që ka kapluar këtë skuadër mund të ndikojë negativisht tek futbollistët. Ata së fundmi në një ndeshje kontrolluese kundër Makedonija Gj.P pësuan një disfatë të thellë 3:0, ndërsa pavarësisht se bëhej fjalë vetëm për miqësore, mund të konfirmohet ndoshta edhe pakënaqësia në mesin e futbollistëve, të cilët në dy ndeshjet e fundit treguan dy loja të zbehta si ndaj Bellasicës në Strumicë kur nxorrën një barazim, por edhe ndaj Makedonija Gj.P në ndeshjen e fundit kampionale si vendas, kur shënuan fitore minimale 1:0 falë një penaltie të ekzekutuar saktë nga ana e armenit Tigran Barsegian.

Në anën tjetrë pauzën në kampionat FC Shkupi e shfrytëzoi më mirë, pasi në ndeshjen kontrolluese që e zhvilluan ndaj Vëllazërimit, ata shënuan fitore 4:1, ndërsa lajm i mirë ishte se pikërisht përforcimi më i fundit i skuadrës nga Çairi, Viktor Angellov shënoi dy gola në këtë përballje. Përveç tij në përballjen ndaj skuadrës kërçovare debutoi edhe qendërmbrojtësi nigerian, Onyebuchi Emmanuel Ifeanyi.

HISTORIA

Nëse i referohemi historisë së re, prej kur se skuadra nga Çairi mban emrin FC Shkupi, ajo flet për Vardarin, skuadër kjo që në 12 ndeshjet e fundit ka arritur 6 fitore, kundrejt dy fitoreve të FC Shkupit, teksa 4 ndeshje janë mbyllur me barazime. Në tre ndeshjet e fundit kampionale Vardari nuk dinë për fitore ndaj skuadrës nga Çairi, që ka realizuar dy fitore të mëdha si vendas (2:0, 4:1), ndërsa ka barazuar në stadiumin e Vardarit me rezultatin 1:1.

FUTBOLLISTËT MË TË DALLUAR

Tigran Barsegian për momentin është figura qendrore te Vardari. Ai përveç se ka shënuar 3 gola dhe aktualisht është golashënuesi më i mirë i “kuqezinjëve”, ai shihet si një lider në terren. Edhe në ndeshjet ndaj FC Shkupit ai ka shënuar tre gola dhe aktualisht konsiderohet si rreziku më i madh për portierin Suat Zendeli, i cili në anën tjetër është një lider i padiskutueshëm. Ai me eksperiencën e tij të madhe në fushë sillet si një kapiten i vërtetë, ndërsa në ndeshje të këtilla prezenca e tij në fushë është shumë domethënëse.

PËRFORCIMI MË I FUNDIT I FC SHKUPIT, VIKTOR ANGELLOV

Në takimin e sotshëm ndaj Vardarit te FC Shkupi pritet të debutojë Viktor Angellov. Interesant është fakti se ky futbollistë kur debutoi gjysmësezonin e kaluar me fanellën e Rabotniçkit, i kishte shënuar gol Vardarit. Mbetet të shohim nëse do ruaj këtë kontinuitet dhe që në debutim të shënojë ndaj skuadrës me më shumë trofe në vendin tonë.

MUNGESAT

Mungesa e vetme te FC Shkupi do të jetë Besart Krivanjeva, i cili është i lënduar, ndërsa gjithë futbollistët e tjerë janë gati për lojë dhe për të dhënë më të mirën. Në anën tjetër te Vardari nuk pritet të ketë mungesa, ashtu që trajneri Aleksandar Vasoski pritet që në fushë të zbresë me futbollistët më të përgatitur.

Leave a Reply