Brazili dhe Argjentina, miqësore luksi në Arabinë Saudite

Brazili dhe Argjentina do të përballen ndërmjet tyre në një takim miqësor tepër të veçantë, që si rrallëherë do të luhet në Arabinë Saudite.

Ka statistika të ndryshme në lidhje me këtë duel, megjithatë sipas të dhënave zyrtare të FIFA-s kjo do të jetë ndeshja e 105 në histori ndërmjet këtyre dy përfaqësueseve.

Si Brazili ashtu edhe Argjentina janë vendosur prej ditësh në Lindjen e Mesme, si për t’i paraprirë pikërisht këtij takimi, që këtë herë do të zhvillohet në Xhedah, në Stadiumin “Mbreti Abdullah”.

Dy vendet kishin pritshmëri shumë të mëdha në botërorin e fundit, megjithatë në Rusi Argjentina u mund pikërisht nga dy përfaqësueset që diskutuan finalen, pra Kroacia dhe Franca, ndërsa “pentakampeonët” u eliminuan në fazën çerekfinale nga Belgjika, gjithsesi që nga ajo kohë në mungesë të kompeticioneve këto dy përfaqësuese kanë zhvilluar edhe nga tre ndeshje miqësore.

“Seleçao” i kanë fituar që tre këto takime pa pësuar as gol, ndaj Shteteve të Bashkuara, Salvadorit dhe Arabisë Saudite, ndërsa përfaqësuesja “albiceleste” pas dështimit në Kupën e Botës sic dihet shkarkoi trajnerin Jorge Sampaoli, duke ia dhënë “çelësat” e kombëtares ish-mbrojtësit Lionel Skaloni.

Nën drejtimin e tij Argjentina barazoi pa gola në Nju Xhersi me Kolumbinë dhe mposhti pa pësuar dy skuadra kundërshtare si Guatemala dhe Irakun. “Bardhekaltërit” duken ndryshe dhe ashtu siç pritej nga të gjithë, Skaloni pa humbur kohë freskoi ekipin me lojtarë si Ikardi, Dybala apo dhe Lautaro Martinez.

Lionel Messi është tërhequr përkohësisht nga përfaqësuesja dhe askush nuk është në gjendje të thotë me siguri nëse kapiteni do të rikthehet për të kontribuar sërish me fanellën e kombëtares “albiceleste”, sidoqoftë këtë radhë ka shumë kureshtje për të parë formacionin titullar të kësaj skuadre.

16 muaj më parë në Australi, në një prej stadiumeve më të mëdhenj në glob, në “Cricket Ground” përpara 96.000 spektatorëve Argjentina me Mesin në fushë fitoi minimalisht 1:0, falë një goli të realizuar nga mbrojtësi i Seviljës, Merkado, ndeshje ku gjithsesi Brazili luajti pa yllin e ekipit Nejmar.

Këtë herë Tite kërkon të marrë hak, prandaj 57-vjeçari pritet ta nisë këtë duel me artilerinë e rëndë, me treshen Nejmar-Gabriel Hesus-Riçarlison, ndërsa në mesin e fushës “verdhjeshilët” me shumë gjasa do të rreshtojnë emra si Kutinjo, Kasemiro dhe Renato Augusto, raporton SS.

Dy ekipet janë përshtatur me klimën dhe pas ndeshjeve respektive në kryeqytetin saudit Rijad, me Arabinë dhe Irakun, tashmë futbollistët janë zhvendosur në Xhedah, ku ndeshja do të mbahet në një stadium madhështor me kapacitet prej plot 62.000 spektatorësh.

Leave a Reply