Liga Europa rikthehet sonte me disa sfida mjaft interesante

Pas ndeshjeve të Ligës së Kampionëve Europian, sonte kanë rradhën ndeshjet në kuadër të Liga Europa, ku gjithashtu zhvillohen ndeshjet e raundit të fundit në grupe, rezultatet e të cilave do të përcaktojnë skuadrat e fundit që do të kualifikohen në raundin tjetër.

Me fillim në ora 18:55 Lacio e Strakoshës, Durmishit dhe Berishës në ‘Olimpiko’ do të mirëpret skuadrën gjermane të Ajntraht Frankfurtit në ndeshjen e vlefshme të grupit ‘H’, e cila zhvillohet sa për statistikë, pasi të dyja ekipet janë kualifikuar për në raundin tjetër, duke lënë jashtë Apollonin dhe Olimpikun e Marsejës.

Në Grupin ‘L’, Çelzi, tashmë i kualifikuar luan në transfertë me Vidin. “Blutë” e Londrës, nëse fitojnë i japin një asist Bate Borisovit që udhëton drejt Greqisë për t’u përballur me PAOK-un. Në këtë grup situata është e komplikuar, pasi të trija skuadrat përveç Çelzit kanë shanse matematikore për t’u kualifikuar.

Në Grupin ‘J;, Sevilja pret Krasnodarin tashmë të kualifikuar me 12 pikë. Skuadra andaluziane ka 9 pikë, po aq sa edhe Standard Liezhi dhe duhet patjetër të fitojnë që të mos varen nga rezultati i skuadrës belge në përballjen ndaj turqëve të Akhisar.

Ndeshjet më interesante dhe me shumë paqartësi sonte pritet të zhvillohen në grupin ‘G’, aty ku të gjitha skuadrat kanë shanse për tu kualifikuar në fazën e dytë, duke pasur parasysh se diferenca mes liderit aktual, Viljarealit dhe skuadrës së fundit në tabelë, Spartak Moskës, është vetëm dy pikë.

Pikërisht këto dy skuadra do të përballen njëra me tjetrën në ‘El Madrigal’, ku debutmin e tij në bankinën e Viljarealit do të bëjë trajneri Luis Garsia Plasa, i cili ditë më parë zëvendësoi Havi Kajehan e shkarkuar.

Ndeshja tjetër e këtij grupi, është ajo midis Rapid Vienës dhe Gllazgou Renxhersit, dy skuadra këto që aktualisht renditen në pozitat 2 dhe 3.

Në orën 21:00, vëmendjen kryesore do ta marrë ndeshja e grupit ‘F’ midis Olimpijakosit dhe Milanit, teksa ndeshja tjetër e këtij grupit është ajo midis Dudelanzh dhe Betis. Skuadra spanjolle tashmë e ka siguruar kualifikimin, ndërsa kuqezinjtë e Gatuzos, që kanë 3 pikë më shumë se kundërshtarët grekë duhet të shmangin humbjen 2:0 dhe çdo humbje tjetër me 3 apo më shumë gola diferencë për të vijuar më tej.

Në grupin ‘E’, Arsenali i Shkodran Mustafit dhe Granit Xhakës do të përballet me Karabagun e Ansi Agollit, ndeshje me vlerë statistikore pasi si Arsenali, ashtu edhe Sportingu i Lisbonës që pret Vorskla Polltavën e kanë siguruar avancimin më tej.

Në grupin ‘B’, skuadra austriake e Salzburgut është kualifikuar matematikisht, ndërsa Seltikut do t’i mjaftonte një barazim ndaj tyre për të siguruar vendin e dytë, që i kërcënohet nga Lajpcigu, që pret Rosenborgun.

Leave a Reply